Nuk justifikoi apartamentin prej 50 mijë eurosh, Vettingu shkarkon prokurorin e Shkodrës

Komisioni i Pavarur i Kualifikimit ka shkarkuar nga detyra prokurorin Arben Smaçi. Ky është vendimi i marrë ditën e sotme, pasin Smaçi nuk mundi të përmbyste provat kundër tij për mënyrën se si e kishte krijuar pasurinë e paluatjshme.

Trupa e KPK që ka kryer rivlerësimin kalimtar të prokurorit Arben Smaçi përbëhej nga komisionerët Valbona Sanxhaktari, Olsi Komici, Firdes Shuli.

Smaçi e ka filluar karrierën në vitin 2010 në prokurorinë e Durrësit dhe në vitin 2011 është emëruar në Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Shkodër.

Sipas analizës së bërë nga Reporter, para fillimit të detyrës si prokuror në vitin 2010, subjekti i rivlerësimit ka pasur një pasuri familjare të deklaruar prej 1 milionë lekë. Në vitin e fundit të deklarimit pasuria familjare e subjektit kap vlerën 6.8 milionë lekë dhe përbëhet nga një apartament me vlerë 50 mijë euro, me kundravleftë në lekë 6.8 milionë lekë.

Të ardhurat familjare të subjektit kapin vlerën 11.9 milionë lekë gjatë periudhës së deklarimit dhe pëbëhen nga një dhurata në cash në vlerë 2.8 milionë lekë dhe 9 milionë lekë të ardhura për shkak të funksionit.

Përveç analizës për rritjen/uljen e pasurisë, strukturën e aseteve dhe të ardhurave, ky raport paraqet dhe kontrollin aritmetik/logjik të deklarimeve të subjektit si dhe “flamujt e kuq’ që identifikohen gjatë kontrollit. Nga kontrolli aritmetik/logjik për 10 vite të deklarimit, njëra prej deklaratave rezultoi me probleme.

Në vitin 2017 deklaruesi rezulton me burime financiare të pamjaftueshme në vlerë 110,767 lekë për të mbuluar shpenzimet vjetore (për shkollim fëmije dhe shlyerje detyrimesh financiare).

Në vitin 2015 subjekti Arben Smaçi deklaron shtesë pasuri të paluajtshme apartament banimi në vlerë 50,000 euro, burim financimi për të cilin shërben pakësim depozitash ekzistuese, të ardhura nga vëllai i deklaruesit në Angli dhe 20,000 euro hua të marra nga persona të tretë.

Gjithashtu, në total dhuratat në cash të deklaruara gjatë viteve rezultojnë në vlerë 2,889,748 lekë.


Shtuar 21.07.2021 10:19