Sekretari i Përgjithshëm i PS, Damian Gjiknuri në një deklaratë për mediat nga Shkodra ku është prezantuar drejtuesja politike e këtij qarku, Elisa Spiropali është shprehur se nuk është tragjedi që PS nuk fiton në Shkodër.
Ai u pyet nga gazetarët së çfarë nuk shkon me socialistët në Shkodër, Gjiknuri tha se PS bën maksimumin që të bëjë mirë, por në fund vendosin qytetarët.
Pyetje: Çfarë nuk shkon me PS në Shkodër?
Gjiknuri: Jeta na mëson që njeriu duhet të vazhdojë të përpiqet të bëjë më të mirën, derisa qytetarët e Shkodrës ta kuptojnë që do të ishte më mirë për ta që të drejtohej nga një kryebashkiak socialist. Por në fund të fundit njerëzit bëjnë zgjedhjen e tyre, ne nuk duam të dominojmë çdo kënd. E rëndësishme është që PS të paraqesë alternativën e saj që ne besojmë është më e mira, por në fund e gjykojnë qytetarët. Nuk është tragjedi që nuk u fitua Shkodra, fatkeqësisht nuk më vjen mirë sepse mund të ishte më mirë për qytetarët e Shkodrës që të drejtohej nga socialistët.
Ndërsa Elisa Spiropali, u shpreh se nuk jemi këtu për të imponuar ofertën e PS, por garantoi se do të zgjedhjen kandidatet me te mire te mundshëm.
Spiropali: Unë e falënderoj sëpari Kryesinë e Partisë Socialiste për vendimin për të më sjellë në qarkun e Shkodrës. Është kënaqësi për mua dhe nder që do të punoj me socialistët e Shkodrës, Vaut të Dejës, të Fushë-Arrëzit, Malësisë së Madhe dhe të Pukës. Unë kam qenë kryetare e FRESSH-it dhe e kujtoj me shumë nostalgji kohën kur vija për t’u takuar me të rinjtë e jashtëzakonshëm të këtij qyteti dhe më pëlqen energjia e këtij qyteti dhe këtij qarku, pavarësisht për kë votojnë. Nuk jemi këtu për të imponuar ofertën e Partisë Socialiste. Ne jemi këtu për të ofruar më të mirën për qytetarët e këtij qarku. Të jeni të sigurt që në bashkëpunim me Sekretarin e Përgjithshëm dhe me Kryesinë e PS-së, ne do sjellim kandidaturat më të mira të mundshme për këtë qark.
Më pas i takon jo vetëm socialistëve por të gjithë qytetarëve që të bëjnë zgjedhjen e tyre. Ne do punojmë fort për më shumë unitet në Partinë Socialiste, për harmonizim të të gjitha energjive por edhe për prurje të reja e për të ofruar alternativën më të mirë. Kjo energji e shpenzuar, kjo kohë por edhe gatishmëria jonë për të punuar fort që në të gjitha këto Bashki të bëjmë më të mirën e mundshme, do vlerësohet edhe nga qytetarët./albeu.com