Nuk donte të kthehej nga Franca, shqiptari vetëvritet në bodrumin e Gjykatës së Bordosë

Një 41-vjeçar shqiptar nga Kosova i ka dhënë fund jetës duke u vetëvarur në bodrumin e Gjykatës në Bordo të Francës.

Ai kishte refuzuar të hipte në një aeroplan dy ditë më parë për t’u kthyer në Kosovë, shkruan gazeta franceze, Le Monde, transmeton Gazeta Express.

“Në moshën 40-vjeçare, duke preferuar ta mbyllin në një qeli të ndotur që kundërmon vdekje, sesa të kthehet në vendin e tij, nuk mund të imagjinohet” , tha një avokate e qytetit duke komentuar vdekjen e kosovarit më 15 dhjetor, në bodrumin e gjykatës së Bordosë.

Ai u vetëvar me lidhësen e kapuçit të xhupit të tij. Policia, pastaj zjarrfikësit, nuk mundën të bënin asgjë për ta shpëtuar. Quhej Fitim Uka. Ai ishte 41 vjeç. Ishte kosovar, shkruan Le Monde.

Hetimet fillestare për gjetjen e shkaqeve të vdekjes, të zbuluara nga Prokuroria e Bordosë bëjnë me dije se 41-vjeçari do të gjykohej pasdite si pjesë e procedurës së paraqitjes së menjëhershme për shmangie nga ekzekutimi i urdhrit për largim nga Franca.

“Më 13 dhjetor, ai refuzoi të hipte në një fluturim për në Amsterdam, pastaj Prishtinë”, thotë avokatja e tij, Abraham Hervé Diompy. Klienti i saj nuk kishte dashur t’i nënshtrohej një testi PCR që kushtëzonte hipjen e tij në aeroplan, siç tregoi zyra e prokurorit të Bordos./Ekspress/