Noka: Pjesëmarrja në protestë ishte e shkëlqyer

Sekretari i Përgjithshëm i PD-së, Flamur Noka, tha se opozita vendosi që t’iu bëjë shqiptarëve transparent buxhetin. Noka i ftuar në emisionin “Open” në News24 u shpreh se një buxhet që vjen pa paketë fiskale bëhet për të kamufluar çdo vjedhje që do të bëhet. Gjithashtu ai tha se ky nuk është buxhet për pensionistët. Sipas tij, nga viti 2014 deri në 2024, pensionet janë rritur 26 % ndërsa inflacioni është rritur 34 %.

“Ky është buxheti më i madh në vjedhje në këto vite të Rilindjes. Edi Rama dhe Rilindja ka vetëm propagandën shtyllë të punës së tyre, ky është një narko-buxhet. Dy ditë ekspertiza e opozitës e nxorri zbuluar gjithë narko-buxhetin. Kur një qeveri që do të bëjë transparencë sjell buxhetin bashkë me paketën fiskale. Vetë Kryeministri zgjodhi që vetëm të hakërrehej sepse nuk kishte si të mbronte këtë buxhet.

I rriti pensionet vetëm 4.1 % pensionistët, ndërkohë që buxheti është 8.2 mld euro. Në Kosovë pensionet u rritën me 20%, kur buxheti është 3.2 mld euro. Një qen që mbajnë në shtëpi qeveritarët ha në një vakt 8 mijë lekë, ndërsa këta i japim pensionistit për të blerë ilaçet, për tu larë e ushqyer 8 mijë lekë ose maksimumi 15 mijë lekë. Vetëm nga inflacioni, pensionisti sot merr 8 % më pak se 10 vjet më pak. Për fermerët, fondi i caktuar është tallje dhe poshtërim”, tha Noka.

I pyetur nëse rezultoi produktive protesta jashtë Parlamentit dhe debati brenda sallës së Kuvendit, Noka u shpreh se i gjithë aksioni opozitar brenda dhe jashtë kishte vetëm një qëllim që të bëhej transaparenca. Po ashtu ai tha se mosbindja civile nuk lidhet me pjesëmarrjen.

“Protesta para Kuvendit u thirr në një solidarizim me pensionistët, ishte protestë e pensionistëve. Mosbindja civile edhe 5 vetë atje dhe 5 këtu e kryejnë misionin. Pjesëmarrja ishte e shkëlqyer. Për ne nuk ka rëndësi numri, nuk kishim thirrur mijëra protestues për të rrëzuar Kuvendin”, tha Noka.


Shtuar 19.11.2024 21:35

Tags: ,