“Njësoj si skenar filmi”, mediat greke reagojnë mbi vrasjen në Peqin

Ngjarja e rëndë e ndodhur ditën e djeshme në burgun e sigurisë së lartë në Peqin është pasqyruar edhe në mediat greke.

Protothema, në një artikull të saj, shkruan se ngjarja ishte njësoj si skenë filmi, teksa bën edhe një analizë se përse ishin dënuar autori Sokol Mjacaj dhe viktima Arben Lleshi.

Skena direkt nga skenari i një filmi krimi u shpalosën në burgun e sigurisë maksimale në Peqin, në Shqipërinë qendrore, kur një i dënuar me burgim të përjetshëm 28-vjeçar vrau një të burgosur tjetër dhe plagosi një tjetër me atë që besohet se ishte një pistoletë që i arriti në duar “nga qielli” me dron!”, thuhet ndër të tjera në artikull.

Deri më tani, për vrasjen e Lleshit janë shoqëruar në polici 12 funksionarë të lartë të burgut, të cilët akuzohen për shpërdorim detyre.

Mjacaj në deklaratën e tij ka thënë se kishte mbi një muaj që e kishte armën, por pa treguar mënyrën se s ii kishte rënë në dorë. Autori, jo vetëm që la mister sigurimin e pistoletës, por deri më tani nuk ka treguar as personin që dyshohet se mund ta ketë porositur vrasjen nga jashtë.

Mjacaj ka thënë se me viktimën kanë pasur konflikte brenda ambienteve të burgut, por ky pohim nuk është besuar nga policia.

Hetimet ndërkohë për zbardhjen e plotë të kësaj ngjarje po vijojnë ende.


Shtuar 16.12.2023 17:30