Pas bombave në spital vjen bomba atomike? Nuk mund t’i kuptosh dot më me arsye vrasjet monstruoze në Ukrainë, shkruan Miodrag Soric.
Nëse do ta quash “të çmendur” Vladimir Putinin, është njësoj si me Stalinin, Leninin apo Maon: Pushtetarë të etur mjaft kalkulues, të nxitur me fanatizëm nga ideologjia e tyre. Putini dëshiron ta bëjë Rusinë një superfuqi sërish, pavarësisht çmimit. Ai e ndjek këtë qëllim, edhe kundër vullnetit të popullit të tij dhe elitave të instaluara prej tij e të korruptuara. Të dyja palët me sulmin në Ukrainë ai jo vetëm i ka habitur, ish-punonjësi i shërbimit sekret ka tradhtuar interesat e tyre!
Me këtë luftë Putini merr peng popujt e Rusisë: ai i detyron ata të mbajnë pasojat e krimeve të tij. Pasoja, që do të shkojnë përtej fundosjes ekonomike të Rusisë. Rusia kërcënon të bëhet e përjashtuara e kësaj bote. Urrejtja e ukrainasve për çdo gjë ruse do të rritet përditë. Rikthimi në diktaturë, fundi i Rusisë së hapur dhe modernizimit, refuzimi i Europës, të gjitha këto janë pjesë e çmendurisë ideologjike të Putinit. Ai i falet si shenjtëri një “rusizmi” unik dhe kërkon që këtë ta bëjnë edhe të tjerët.
Putini, inkuizitori i madh
Kjo mendësi është e mbrapshtë dhe e kundërta e krishtërimit ortoddoks, të cilit i referohet me dëshirë Putini, kur i përshtatet. Zoti biblik në urdhëresat e dekalogut ndal me të parën adhurimin e hyjve të tjerë, dhe i dhuron njeriut lirinë për të bërë mirësi. Pikërisht këtë liri kërkon t’ua rrëmbejë Putini popujve të Rusisë dhe ukrainasve. Dhe i ngjason me këtë inkuizitorit të madh në romanin “Vëllezërit Karamazov” të shkrimtarit të madh rus, Dostojevskit, që në fund akuzon edhe Zotin se ka bërë një gabim. Liria nuk është asgjë për njeriun.
Rusia mund të fitojë lirinë dhe dinjitetin, nëse Putini e humb këtë luftë. Por ky do të ishte fundi politik i Putinit. Pra ai do të bëjë çdo gjë, për të penguar këtë, dhe do të shkallëzojë luftën. Ai mund ta bëjë këtë, sepse e di: Rusia ka armë atomike Ukraina jo. E megjithatë as ai nuk duhet të ndjehet mirë, kur gjithnjë e më shumë ushtarë rusë pyesin, se pse shahen nga ukrainasit si fashistë? Apo pse duhet të luftojnë kundër një populli vëlla?
Ukrainasit nuk i mundojnë konflikte të tilla. Ata mbrojnë vendin e tyre, vatrat e tyre, gratë, fëmijët dhe prindërit e tyre. Me guximin e dëshpërimit, me gatishmërinë për të bërë sakrificën më të madhe, ata ngrihen kundër supremacisë ushtarake të sulmuesve. Davidi ukrainas kundër Goliatit rus.
Një fitore me çmimin e varësisë nga Kina
Por edhe nëse Putini mund t’ia dalë që në negociatat për paqen të shkëpusë një pjesë të Ukrainës: Rusia nuk mund të fitojë paqen e me këtë nuk e fiton as këtë luftë. Këtij vendi i mungojnë mjetet për të pushtuar të gjithë Ukrainën në vazhdimësi. Putini e mbylli derën drejt Europës dhe botës së lirë. Ky vend do të jetë tani i varur nga Kina. Kinezët kanë qenë gjithmonë tregtarë të mirë. Ky popull miliardësh do t’i marrë pasuritë e Siberisë, pavarësisht nëse është naftë, gaz, qymyr, dru apo nikel. Ekonomia në rritje e Kinës ka nevojë për gjithçka, mundësisht sa më lirë. Qytetarët e Rusisë duhet të reflektojnë tani dhe të veprojnë. Si? Miliona ukrainas e tregojnë përditë këtë./DW/