Transporti publik në Tiranë mbart një mori problemesh që lidhen me çmimin e biletës, shërbimin që lë për të dëshiruar, oraret dhe gjatë vitit të fundit edhe sigurinë e pasagjerëve.
Mesditën e sotme një autobus i kompanisë “Green Line” i prezantuar vetëm një vit më parë mori para disa makina duke plagosur tre persona. Policia po heton për shkaqet por paraprakisht dyshohet për shpejtësi tej normave të lejuara nga autobusi në fjalë.
Pamjet e shkaktuara nga përplasja lenë pak dyshime për shkakun e vërtetë në fakt, ku duket se drejtuesi i automjetit nuk e ka mbajtur fare këmbën te frenat duke parë para çfarë ka patur në krahun e tij.
Por, ky nuk është rasti i parë i aksidenteve të rënda me këtë linjë autobusësh të kompanisë “Green Line” në pronësi të CFO Pharma të biznesmenit Nadir Çausholli.
Vitin e kaluar, një autobus nga e njëjta kompani ra në lanë duke plagosur disa pasagjerë. Ngjarja ndodhi në të njëjtin aks, madje vetëm pak metra larg aksidentit të sotëm.
“Green Line” mori linjën e Unazës një vit më parë duke pretenduar se kishte futur autobusë “green”, të cilët në fakt punojnë me naftë si edhe autobusët e tjerë, ç’ka tregon se përveç se nuk ka asgjë “green”, rrezikojnë edhe jetën e qytetarëve.