“Njëri koordinon, tjetri financon e tjetri zbaton”, Basha zbulon skemën: Si Meta, Rama dhe Berisha duan të shkatërrojnë PD

Keu i PD-së Lulzim Basha nga takimi në njësinë nr.2 në Tiranë ka zbuluar atë që ai e quan skenar për shkatërrimin e PD-së të iniciuar nga ish-kryeministri Sali Berisha në bashkëpunim me presidentin Ilir Meta dhe kryeministrin Edi Rama.

Sipas Bashës, njëri koordinon sulmin, tjetri financon foltoren dhe tjetri zbaton skenarin për shkatërrimin e PD-së.

“Në qoftë se kemi mësuar diçka në këto muaj, të gjithë të tjerët janë bërë bashkë me Edi Ramën. I patë mbrëmë si flasin njësoj, mbajnë të njëjtat qëndrime, përdorin të njëjtat terma, kanë të njëjtën gjuhë, i bashkon i njëjti hall, që nuk është halli i shqiptarëve, është halli i karrigeve të tyre personale, i fatit të tyre personal.

Në raport me atë që i kanë hyrë në hak shqiptarëve. Njëri koordinon sulmin kundër Partisë Demokratike, tjetri e financon Foltoren dhe flet me gjuhën e Foltores edhe në Parlament, edhe në qeveri, edhe në ekran, tjetri e zbaton planin për të shkatërruar Partinë Demokratike. Edhe ata janë bashkë, mos keni iluzione. Hiqni çdo iluzion. Janë bashkë, Edi Rama, Sali Berisha, Ilir Meta, janë të tre bashkë, janë bashkë prej hallit që i lidh bashkë, dhe janë bashkë për të shkatërruar Partinë Demokratike”, tha Basha./albeu.com


Shtuar 29.01.2022 15:42