Fotoja që shikoni më poshtë është e 29-vjeçarit Aldo Majnishta, i arrestuar sot në Kosovë pasi ishte në kërkim ndërkombëtar.
I riu akuzohet nga autoritetet shqiptare për organizimin e rrëmbimit dhe zhdukjes së Jan Prengës.
Në momentin e kapjes, ai ka paraqitur pranë autoriteteve kosovare dokumentet e një shtetasi tjetër, por pas kryerjes së një sërë verifikimesh nga të cilat ka rezultuar se shtetasi i kapur gjatë operacionit ishte Aldo Majnishta.
“Gjykata e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar në vitin 2022, i ka caktuar 29-vjeçarit masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprat penale “Rrëmbimi ose mbajtja peng e personit”, kryer në bashkëpunim, “Trafikimi i narkotikëve”, kryer në bashkëpunim, “Prodhimi dhe mbajtja pa leje e armëve, armëve shpërthyese dhe municionit” dhe “Fshehja ose asgjësimi i kufomës”.
Ai ishte shpallur në kërkim pasi nga hetimet ka rezultuar se është njëri nga organizatorët e rrëmbimit dhe zhdukjes së shtetasit Jan Prenga.
Gjithashtu, 29-vjeçarin Gjykata e Apelit të Shkodrës në vitin 2016, e ka dënuar me 3 vjet burgim (nga të cilat i kanë mbetur për të kryer 2 vjet, 3 muaj dhe 15 ditë burgim), për veprat penale “Shkelja e rregullave të qarkullimit rrugor “, “Mosbindja ndaj urdhrit të punonjësit të policisë së rendit publik” , “Prodhimi dhe mbajtja pa leje e armëve, armëve shpërthyese dhe municionit” dhe “Largimi nga vendi i aksidentit””, thuhet në njoftim./albeu.com