Nga dita e sotme ka hyrë në fuqi programi i ri kufitar “Një ndalesë-Një Kontroll” mes Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut.
Sipas kryeministrit Edi Rama, ky program do të lehtësojë qarkullimin e njerëzve dhe të mallrave mes dy vendeve.
Ditën e sotme, Rama dhe homologu i tij maqedonas, Dimitar Kovačevski ishin në pikën kufitare të Qafë Thanës, ku tashmë sipas kreut të qeverisë shqiptare “do të “zhbëhet” kufiri mes dy vendeve”.
“Qafë Thanë – Hyn në fuqi programi i ri kufitar “Një ndalesë – Një kontroll”, duke “zhbërë” kufirin mes Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut dhe lehtësuar qarkullimin e njerëzve dhe mallrave me procedura shumë të thjeshtuara”, shkruan Rama.
Ndërkohë, gjatë fjalës së tij Rama vuri në dukje rritjen e turizmit në Shqipëri dhe tha se zhvillimi i mëtejshëm kërkon një qasje komplekse.
“Shqipëria këtë vit po përjeton një impakt të jashtëzakonshëm të transformimit të imazhit të saj. Fluksi i turistëve dhe numri i investitorëve të mëdhenj, së bashku me shqiptarë të diasporës apo edhe ata që banojnë në Shqipëri është inkurajues. Zhvillimi mëtejshme dhe rritja e dëshiruar e industrisë së turizmit, kërkojnë një qasje komplekse”, tha Rama.