Albeu.com më poshtë ju sjell disa nga zhvillimet më të fundit të ditës, ku ka pasur një “stuhi” aktivitetesh diplomatike, ndërsa liderët e NATO-s, G7 dhe BE-së u takuan në Bruksel.
Biden tha se NATO nuk ka qenë kurrë më e bashkuar dhe kjo ishte e kundërta e asaj që Putin mendonte se do të ndodhte. Ai kërkoi vazhdimin e unitetit në mënyrë që sanksionet të qëndrojnë në fuqi aq gjatë sa të ndikojnë në vendimmarrjen e Moskës.
Biden, Johnson i Britanisë së Madhe dhe Macron i Francës refuzuan të thonë saktësisht se si do të përgjigjeshin nëse Rusia do të përdorte armë kimike në Ukrainë. Por Biden tha se natyra e përgjigjes së SHBA-së do të varej nga natyra e armëve kimike të përdorura.
NATO ka konfirmuar se katër grupe të reja beteje të përbëra nga 40,000 trupa në total do të dërgohen në Sllovaki, Hungari, Bullgari dhe Rumani.
Scholz i Gjermanisë dhe shefja e BE-së, Ursula von der Leyen thonë se pagesat për energjinë ruse nuk do të bëhen në rubla siç ka kërkuar Moska – “koha e shantazhit të energjisë ruse ka mbaruar,” tha von der Leyen.
Në Ukrainë, luftimet kanë vazhduar:
Një anije ruse është shkatërruar dhe dy anije të tjera janë dëmtuar në qytetin port të okupuar ukrainas të Berdyansk, thonë zyrtarët ukrainas. Nuk dihet se çfarë e shkaktoi shpërthimin.
Ukraina thotë se ka kryer shkëmbimin e parë të duhur të të burgosurve me Rusinë që nga fillimi i luftës, me 10 ukrainas të shkëmbyer për 10 rusë. Në një shkëmbim të veçantë, 11 marinarë civilë rusë të shpëtuar nga një anije që u mbyt në Odesa u shkëmbyen me 19 detarë ukrainas nga një anije e kapur nga rusët.
Organizata Botërore e Shëndetësisë thotë se ende nuk është në gjendje të marrë furnizime mjekësore të nevojshme në qytetin e rrethuar juglindor të Mariupol, dhe gjithashtu Mykolaiv, i cili është më në perëndim. Tarik Jasarevic tha për BBC se agjencia shëndetësore e OKB-së është duke ngritur një stacion për të lëvizur furnizimet, por nuk ka qenë në gjendje të arrijë në dy zona./albeu.com