Nga viti 2018 dhe me pritshmëritë e këtij viti, arkëtimet nga taksat direkte në rrugën e Kombit arritën vlerën e 4,6 miliardë lekëve ose 37.7 milionë euro, ndërsa financimi nga buxheti i shtetit arriti në 20 milionë euro (2018-2021).
Sipas të dhënave zyrtare nga Ministria e Financave, arkëtimet kanë pasur ecuri më të mirë se planet vjetore të kompanisë “Albania Highway” që administron më koncesion PPP.
Në vitin 2019 kompania arkëtoi 1,8 miliardë lekë nga tarifa direkte nga 1,2 miliardë lekë të planifikuara ose 41% më shumë. Gjithashtu në vitin 2020 megjithëse një vit krize për shkak të bllokimeve në lëvizje që krijoi pandemia të ardhurat nga tarifa ishin mbi 1,4 miliardë lekë ose 12,7% më të larta se, plani i kompanisë.
Vlera e investimeve që duhet të bëjë koncesionari sipas kontratës është 5,6 miliardë lekë, teksa të ardhurat nga tarifa deri më tani mbulojnë 87 për qind të vlerës së investimit.
Kontrata Koncesionare/PPP “Për ndërtimin, përmirësimin, shfrytëzimin dhe mirëmbajtjen e autostradës Milot-Morinë” ka si objekt përmirësimin e Autostradës “Milot-Morinë”, shfrytëzimi dhe mirëmbajtja efikase e saj nga ana e shoqërisë koncesionare, sipas një pakete të paracaktuar të standardeve të performancës.
Aktualisht projekti është në fazën e ndërtimit dhe të operimit. Deri në fund të vitit 2020 janë realizuar 62% e punimeve të ndërtimit, sipas Ministrisë së Financave.
Sipas raportimeve shoqëria koncesionare vazhdon të realizojë punimet e mirëmbajtjes së autostradës “Milot-Morinë”, si dhe punime përmirësuese të komponenetëve të ndryshëm përgjatë autostradës me qëllim rritjen e nivelit të sigurisë.
Kjo kontratë koncesionare referuar mënyrës së shpërblimit të koncesionarit, realizimin e të ardhurave e ka të parashikuar në formën e tarifave për kalim nga përdoruesit e rrugës ndaj koncesionarit. Gjithashtu, kontrata parashikon garantimin nga ana e autoritetit kontraktues e një pragu të të ardhurave nga trafiku të përcaktuar në kontratë si dhe ndarjen e tyre midis koncesionarit dhe Autoritetit Kontraktues në rast të tejkalimit të këtij pragu. Ndërkohë për realizmin e veprave të artit të përcaktuara në kontratë një pjesë e kostos së tyre mbulohet nëpërmjet subvencionimit nga buxheti i shtetit.
Nga viti 2018 deri në fund të vitit financimet e buxhetit të shtetit për rrugën e Kombit arrijnë vlerën e 20 milionë eurove. Sipas ministrisë së Financave koncensionari ka siguruar të rreth 58 milionë euro të ardhura në katër vitet e para të operimit./monitor