Nis protesta në Prishtinë, qytetarët kërkojnë drejtësi për ish-krerët e UÇK-së

Ditën e sotme, mijëra qytetarë janë mbledhur në sheshin “Skënderbeu” në Prishtinë në marshin “Drejtësi, jo politikë”, në mbështetje të ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK) që po gjykohen në Hagë.

Qytetarët mbajnë në duar flamuj të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, të Republikës së Kosovës dhe flamuj të Shqipërisë.

Pjesëmarrësit kërkojnë drejtësi për ish-krerët e UÇK-së që po gjykohen në Hagë, Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi dhe Rexhep Selimi.

Pjesë në protestë po merr dhe Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani.

Në shesh janë vendosur edhe fotografitë e katër të akuzuarve, të cilët prej më shumë se pesë vitesh po përballen me proces gjyqësor në Dhomat e Specializuara në Hagë.


Shtuar 17.02.2026 14:45