Nipi i Ali Ahmetit kërkon koalicion Besa-ASh për të mundur BDI

Nipi i kryetarit të BDI-së, Fatmir Limani, ka kërkuar një koalicion mes Aleancës për Shqiptarët dhe Lëvizjes Besa në zgjedhjet e ardhshme parlamentare.

Pak ditë më parë Limani I është bashkuar Lëvizjes Besa dhe ka bërë të ditur se mënyra e vetme për të fituar ndaj BDI-së është një bashkim mes ASH dhe BESË-s.

“Ne si opozitë shqiptare duhet t’i bindim se jemi ndryshe nga të tjerët, në rast se nuk i bindim nuk ka vota. Do të jetë me aktin e bashkimit të opozitës shqiptare. Unë e di se Arben Taravari ka disponim. E di”, tha Fatmir Limani.

Por a do të pranojë ASH edhe një koalicion, pas asaj që i ndodhi me RDK-në e Vesel Memedid dhe së fundmi me Alternativën e Afrim Gashit?

Arben Taravari për TV21 thekson se Aleanca për Shqiptarët gjithmonë ka qenë pro bashkëpunimeve opozitare.

“Në parim Aleanca për Shqiptarët, gjithnjë ka qenë dhe do të vazhdojë të jetë e hapur për bashkëpunime, por përsëri vendimet përfundimtare opozitare për bashkëpunimet eventuale i sjellin organet partiake të Aleancës për Shqiptarët. Nuk dua ta marr atë ekskluzivitet, po as që e kam atë ekskluzivitet që të them kështu do të jetë apo ashtu”, pohoi Arben Taravari nga Aleanca për Shqiptarët.

Limani tha se mosdashja e bashkëpunimeve tregon qartë se njëra prej këtyre dy partive është bashkëpunëtore e BDI-së, por Taravari nuk ka pranuar ta komentojë këtë deklaratë të tij, pasi sipas tij, ASH ka dëshmuar qartë se ka qenë gjithmonë kundër BDI-së së Ali Ahmetit./albeu.com/