Niko Peleshi ofron mbështetje për një pensionist të vdekur (FOTO)

Dy ditë më parë, ishte Dita Botërore e të Moshuarve, ku kreu i grupit parlamentar të PS-së, Niko Peleshi nuk mund të linte pa e shfrytëzuar për propagandë.

Ai ka publikuar në rrjetet sociale një foto me një pensionist, ku ofron mbështetje dhe përkujdesje për ta, duke nisur me bonusin e fundvitit.

“Në Ditën Botërore të të Moshuarve, mirënjohje për kontributin e vyer të gjeneratave që na kanë udhëhequr dhe kanë ndërtuar themelet e së ardhmes sonë. Po punojmë intensivisht për të siguruar që të moshuarit të përfitojnë drejtpërdrejt nga rritja ekonomike e vendit. Duke nisur me bonusin e këtij fundviti, do të shtojmë mbështetjen dhe përkujdesjen për ta, si një shenjë e mirënjohjes dhe e përkushtimit tonë për një Shqipëri ku askush nuk mbetet pas”, – shkruan Peleshi.

Por siç duket, deputeti socialist ka zgjedhur një foto të vjetër për të bërë propagandë, pasi pensionisti që ka shfaqur në foto ka ndërruar jetë.

Këtë detaj e ka vënë re korçari i rrjeteve sociale, Ilir Vrenozi, i cili thotë se pensionisti në foto është Stavri Jano, i cili ka ndërruar jetë.

Edhe pse kanë kaluar dy ditë, postimi i Peleshit vijon të jetë ende në profilin e tij në rrjetet sociale.


Shtuar 3.10.2024 11:04