Ngriti duart lart me simbolin e shqiponjës, mediat serbe kapen keq pas Anxhela Peristerit (FOTO LAJM)

Ka përfunduar nata e parë gjysmëfinale e festivalit të madh evropian të këngës, Eurovision Song Contest.

Mbrëmja e zhvilluar direkt nga salla e madhe “Ahoy” në Rotterdam të Holandës, solli në skenën e saj gjigante plot 18 artistë nga 18 shtete të ndryshme.

Këngëtarja shqiptare, Anxhela Peristeri, që përfaqëson Shqipërinë në ‘Eurovision’ ka bërë simbolin e shqiponjës me duar, dhe ka qenë pikërisht ky gjest i cili ka sjellë reagime nga mediat serbe.

Ato këtë veprim të këngëtares së njohur shqiptare e kanë quajtur si një skandal, dhe si një provokim i turpshëm nga ana e përfaqësueses së Shqipërisë.

“Përfaqësuesja e Shqipërisë, Angelia Peristeri dhe bashkëpunëtori i saj dolën para mediave dhe treguan simbolin e ‘Shqipërisë së Madhe’, të ashtuquajturën ‘shqiponja dykrenore’ në mënyrën shqiptare. Ju kujtojmë se Eurovision në parim ndalon promovimin politik në veprimtarinë e saj”, shkruajnë mediat serbe.

Kujtojmë se Anxhela Peristeri në “Eurovision 2021”, do të përfaqësojë Shqipërinë me këngën “Karma”.


Shtuar 19.05.2021 21:48