Nga vizita në Tiranë te “lufta” me RENEA-n, si u shkua deri tek ekzekutimi i Ramiz Muçollarit në Maliq

Ramiz Muçollari, 62 vjeç, u ekzekutua paraditen e kësaj të shtune (12 gusht 2023) në banesën e tij në fshatin Qesarakë në Maliq.

62-vjeçari, i cili dyshohet se vuan nga problemet e shëndetit mendor, u ekzekutua nga forcat RENEA, pasi nuk ka pranuar të dorëzohet dhe ka hapur zjarr ndaj tyre.

RENEA kërkonte dorëzimin e tij, pasi një natë më parë, pas një debate me gruan Pëllumbesha Muçollari dhe djalin 27-vjeçar Kamberi, i ka sulmuar këta dy të fundit. Gruan e ka sulmuar me thikë, ndërsa djalin me tytën e mitralozit, armë me të cilën bëri rezistencë dhe ndaj policisë, por në fund mbeti i vdekur.

Si nisi e gjithë ngjarja? Sherri në familje një natë më parë

Një natë më parë, në familjen e Ramiz Muçollarit u zhvillua një debat i ashpër në lidhje me këtë të fundit. Gruaja e tij dhe djali i kërkonin që të shtrohej në spital, për shkak të problemeve me shëndetin mendor, raporton albeu.com.  Një gjë të tillë, Muçollari e ka refuzuar kategorikisht, madje dhe është nervozuar sa ka goditur bashkëshorten me thikë dhe djalin me sende të forta, me qëllim vrasjen e tyre. Nënë e bir ndodhen në spital, ku po marrin ndihmë mjekësore.

Tentativa e policisë së Maliqit për të arrestuar 62-vjeçarin

Pasi policia është njohur me ngjarjen e rëndë, një grup efektivësh nga komisariati i Maliqit kanë shkuar drejt adresës së dhënë, ku kanë konstatuar të mbyllur në banesën e tij autorin Ramiz Muçollari, cili është i armatosur me armë zjarri.

Shërbimet e Policisë kanë mbajtur të rrethuar banesën dhe kanë marrë masa sigurie, pasi 62-vjeçari ka hapur zjarr në drejtim të Policisë lokale.

Pas kësaj, është njoftuar RENEA, për ndërhyrje më të specializuar.

Aksioni i RENEA dhe vrasja e Muçollarit

Pas njoftimit, në vendngjarje kanë mbërritur Forcat Speciale “Renea”, të cilët në bashkëpunim me strukturat e DVP Korçë, si dhe shërbimet e Komisariatit të Policisë Maliq, kanë mbajtur të rrethuar zonën dhe kanë tentuar të negociojnë me 62-vjeçarin.

Përgjatë natës, Forcat  Speciale “Renea”, i kanë bërë thirrje të pandërprera për t’u dorëzuar, por 62-vjeçari nuk i është bindur thirrjeve të Policisë për t’u dorëzuar dhe ka vijuar të qëllojë me armë zjarri drejt Policisë.

Në mëngjesin e sotëm, Forcat Speciale “Renea”, kanë mundur të hyjnë deri në katin e dytë të banesës së shtetasit Ramiz Muçollari, i cili ishte ngjitur në papafingon e banesës dhe ka hapur zjarr në drejtim të Forcave Speciale “Renea”, duke rrezikuar seriozisht jetën e tyre.

Forcat Speciale “Renea”, janë kundërpërgjigjur me zjarr dhe përreth një orë ka vijuar shkëmbimi i zjarrit, raporton albeu.com

Si pasojë e shkëmbimit të zjarrit, 62- vjeçari ka humbur jetën.

Reagimi i ministrit të Brendshëm Taulant Balla

Ministri i Brendshëm Taulant Balla, reagoi në lidhje me vrasjen e Muçollarit dhe operacionin e policisë, ku shprehu mirënjohje ndaj efektivëve.

Mirënjohje forcave RENEA dhe atyre të Drejtorisë Vendore të Policisë Korçë për kryerjen e detyrës me përgjegjësi të lartë gjatë gjithë natës së mbrëmshme deri sot në mëngjes në Maliq edhe në kushtet e kërcënimit për jetën, sepse thirrjeve të Policisë së Shtetit, shtetasi që kërkohej të ndalohej, ju kundërvu me përdorimin e armës ndaj policisë. Në këto rrethana përcaktimet ligjore janë të qarta dhe Policia e Shtetit zbatoi Ligjin.

Dua ta siguroj publikun se çrrënjosja e dhunës ndaj grave dhe dhunës në familje është një detyrë kryesore për ne në bashkëpunim me institucionet e tjera ligjzbatuese dhe me komunitetin në çdo cep të territorit. Çdo grua, çdo vajzë duhet të ketë besimin se telefonata e saj tek Policia është vendimi i duhur që sjell çlirimin nga makthi dhe fitoren e ligjit mbi padrejtësinë dhe dhunën”, shkruan Balla.

Grupi hetimor ndodhet në vendngjarje dhe nën drejtimin e Prokurorisë vijon kqyrja e vendit të ngjarjes për dokumentimin e plotë ligjor të këtij rasti./albeu.com