Nga vdekja e nënës tek sëmundja e bashkëshortit dhe atentati ndaj babait të saj, rrëfimi emocionues i Ivanka Trump

Në një rrëfim të sinqertë dhe emocional, Ivanka Trump, ka folur për momentet më të vështira të jetës së saj, duke prekur humbjen e nënës, sfidat shëndetësore të bashkëshortit dhe përvojën tronditëse të atentatit ndaj të atit, presidentit amerikan Donald Trump.

Gjatë një interviste në podcastin “Ditari i një CEO”, 44-vjeçarja nuk arriti të mbante lotët teksa kujtonte nënën e saj, Ivana Trump. “Nëna ime më mësoi të jap maksimumin në çdo gjë që bëj”, u shpreh ajo mes emocionesh, duke shtuar se ajo kishte jetuar një jetë të lumtur.

Të lidhura

None found

Ivanka Trump foli gjithashtu për ndikimin e madh që ka pasur humbja e një prindi, sidomos në mënyrë të papritur, duke e lidhur këtë edhe me periudhën e COVID-19, që sipas saj i ka privuar familjet nga shumë momente të çmuara.

Me të njëjtin emocion, ajo përmendi edhe gjyshen e saj, Marie Zelníčková, me të cilën jeton aktualisht në Florida, duke e cilësuar si një figurë të dashur dhe të pazëvendësueshme për familjen.

Në intervistë, Ivanka ndau edhe sfidat shëndetësore të bashkëshortit të saj, Jared Kushner, i cili është përballur dy herë me kancer në tiroide. Ajo tregoi se kjo periudhë, së bashku me humbjen e nënës, e shtyu të kërkonte ndihmë përmes psikoterapisë.

“Sapo isha larguar nga Uashingtoni. Jaredit iu diagnostikua kanceri i tiroides për herë të dytë dhe më pas nëna ime vdiq”, tregoi ajo mes lotësh.

Një tjetër moment emocionues ishte kujtimi i atentatit ndaj të atit në Butler, Pennsylvania në korrik 2023. Ivanka tregoi se e kishte ndjekur ngjarjen në kohë reale nga një klub golfi në Neë Jersey, duke përjetuar frikë dhe ankth për jetën e tij. Megjithatë, ajo u shpreh se kishte ndjerë menjëherë se ai do të ishte mirë.

Ajo zbuloi gjithashtu se ka zgjedhur të falë autorin e sulmit, Thomas Crooks, duke theksuar se “falja është e vështirë, por e domosdoshme”. Në përfundim, Ivanka Trump nënvizoi se përvojat e saj i kanë mësuar të mos marrë asgjë si të mirëqenë në jetë, duke theksuar vlerën e çdo momenti me familjen dhe të dashurit.

 


Shtuar 10.04.2026 09:57