Tashmë duket se është bërë e zakonshme për syrin e lexuesit një titull lajmi që nis me “Atentat në Shkodër” apo “Vrasje në Tiranë”, sepse ngjarje të tilla janë bërë aq të shpeshta, sa ndodhin disa herë brenda një jave.
Albeu.com më poshtë ju sjell disa nga ngjarjet më të bujshme që tregojnë se krimi po lulëzon dhe siguria ndaj qytetarëve është më e brishtë se kurrë.
E nisim nga kryeqyteti, Tiranë. Të shtunën, më datë 11 qershor 2022, në afërsi të TEG-ut, shpërtheu një makinë. Në fillim u dyshua se shpërthimi ka ardhur si pasojë e një defekti në mjet, por pak minuta më vonë policia sqaroi se ishte si pasojë e një sasie eksplozivi që i ishte vënë mjetit. Nga ngjarja, drejtuesi i mjetit Adriatik Sadikaj, 27 vjeç, humbi jetën. Motivi i kësaj ngjarjeje mbetet ende mister, ndërsa nga hetimet rezulton se Sadikaj ishte proceduar më parë për tentativë vrasje.
Një ditë më vonë, e diel 12 qershor 2022, në Belgjikë, iu bë atentat me armë zjarri Erion Hasanbelliut, i njohur dhe si Mikel Rakipllari, i cili është një emër i njohur për drejtësinë. Hakmarrja mund të jetë arsyeja kryesore e atentatit ndaj Erion Hasanbelliut. Mediat belge shkruajnë se ndër të dyshuarit kryesorë është Kasandër Noga, i cili është arrestuar. 44-vjeçari është një emër i njohur i botës së krimit. Sipas mediave belge, e gjithë saga e krimit ka nisur në vitin 2000 kur Kasandër Noga hyri në Sanatorium, ku pasi u hoqën serumet nga krahu vranë me automatik Aqif Hasanbelliun, babain e Erionit dhe Dritan Hajdinin, shok i vëllait të tij Geronit, të cilët ndodheshin të shtruar atje. Hakmarrja vazhdoi edhe me një seri ngjarjesh të tjera, pasi Erion Hasanbelliu bashkë me vëllain e tij Geron Hasanbelliu ekzekutuan Julian Çelën dhe plagosën rëndë Kasandro Nogën në 2002, në Antverp të Belgjikës. Mediat belge shkruajnë po ashtu se Noga akuzohet për 5 vrasje dhe disa plagosje në këtë vend, por edhe për vrasje të kryera në Shqipëri. 43-vjeçari Erion Hasanbelliu ndodhet në spital në Bruksel në gjendje të rëndë, pas 6 plumbave që qëlloi ndaj tij Noga, 3 prej të cilave pas shpine dhe 3 në këmbë.
Java nisi e qetë. E hëna kaloi pa ngjarje kriminale në vend. Por, të martën në mbrëmje, lajme të reja nga Velipoja. Një 48-vjeçari, i identifikuar si Pjerin Brushtulli, iu bë atentat me armë zjarri. Ai u qëllua me disa plumba në bark. Plagosja ndodhi në fillim të zonës bregdetare të Velipojës, dhe siç shpesh ndodh në vendin tonë, ngjarja mbetet pa autorë. Megjithatë, mësohet se Brushtulli nuk është një emër i panjohur për drejtësinë, pasi ai ka qenë i dënuar për një vrasje të kryer në vitin 2002. Brushtulli u arrestua në 2008-të pasi ishte dënuar me 15 vite burg në mungesë për vrasjen e bashkëfshatarit të tij shtetasit Kolec Hila. Hakmarrja mund të jetë motivi i plagosjes, ndërsa hetimet për këtë ngjarje vazhdojnë.
Pa u bërë ende 24 orë nga ngjarja e lart përmendur, të mërkurën në darkë, 15 qershor 2022, Shkodra u trondit nga një ngjarje e rëndë. Në një lokal, u vra me breshëri plumbash kallashi, 76-vjeçari Lulash Qepuri. Në momentin që autori ka qëlluar, i është përgjigjur djali i 76-vjeçarit, me shotgun. Në vendngjarje janë gjetur 26 gëzhojë. Viktima rezulton i arrestuar më parë për armëmbajtje pa leje dhe drogë, ndërsa djali i tij ka rrëfyer se nuk kanë probleme me ndonjë person. Autori i kësaj ngjarje mbetet ende i paidentifikuar dhe në arrati.
E enjtja kaloi qetë sa u takon ngjarjeve kriminale, por në vëmendje ishte SPAK dhe “telenovela” Nuredin Dumani. Prej javësh, killeri serial Nuredin Dumani është në qendër të mediave, pasi u bë publike dosja e tij hetimore me rrëfimet që ka bërë ai. Dumani është i penduar i drejtësisë dhe së bashku me të arrestuarin tjetër, Henrik Hoxhajn, kanë rrëfyer krimet më të bujshme në vend dhe pagesat që kanë marrë, të cilat arrinin dhe vlerën e 2 milionë eurove për një ekzekutim. Rrjedhja e informacionit ka shqetësuar Prokurorinë e Posaçme. Në media qarkulloi lajmi se SPAK do të dënonte me 5 vite burg gazetarët që nxirrnin dëshmitë e Dumanit, por disa orë pasi lajmi mori dhenë, sqaroi se ishte vetëm për një gazetar.
Sot, në Elbasan u bë atentat me armë zjarri. Një parakalim i gabuar i para 3 javëve, çoi në përdorimin e armës nga E.M, 38 vjeç, i cili ka qëlluar 7 herë me armë zjarri në drejtim të 30-vjeçarit Arben Bekteshi.
Shqetësues është fakti që atentatet me armë zjarri dhe forma të tjera, janë bërë shumë normale dhe duhet patjetër një forcim i strukturave të policisë së shtetit që qytetarët e thjeshtë të mos e pësojë nga njerëz të krimit që po hanë kokat e njëri-tjetrit./albeu.com