“Nëse vazhdon të stërvitesh kështu, nuk do të të zgjidhja as unë”, është fjalia që, sipas Tijjani Reijnders, i ktheu rrjedhën jetës.
Sot, ai konsiderohet mes lojtarëve më të çmuar të mesfushës në futbollin evropian dhe është pjesë e Manchester Cityt, por jo shumë kohë më parë përditshmëria e tij ishte krejt tjetër.
Të lidhura
None found
Në periudhën kur emra si Phil Foden dhe Erling Haaland po tërhiqnin vëmendjen e botës së futbollit, holandezi punonte në një supermarket. Në një intervistë të fundit, ai tregoi se si vërejtjet e prindërve e bënë të ndryshonte qasje.
“Në moshën 19-vjeçare, ndërsa lojtarë si Phil Foden dhe Erling Haaland po bënin emër në futbollin evropian, unë po punoja në Aldi”.
“Pas shkollës ngisja biçikletën drejt supermarketit, mbushja raftet dhe skanoja produkte për disa orë çdo ditë. Nuk ishte jeta që e kisha imagjinuar për veten. Ëndrra ime ishte futbolli, por në atë kohë dukej sikur po largohej gjithnjë e më shumë”.
Në atë kohë, Reijnders luante me ekipin U19 të PEC Zwolle, por hapësirat që merrte në fushë ishin larg atyre që shpresonte.
“Luaja për ekipin U19 të PEC Zëolle, por nuk po merrja minuta. Madje erdhi një moment kur nuk isha as në listën e skuadrës”.
I zhgënjyer nga situata, ai vendosi të ankohej te i ati. Reagimi që mori prej tij mbeti i paharrueshëm.
“I zhgënjyer, iu ankova babait tim. Ai erdhi të më shihte në stërvitje dhe më tha diçka që nuk do ta harroj kurrë: ‘Nëse vazhdon të stërvitesh kështu, nuk do të të zgjidhja as unë’”.
Goditja emocionale ishte e fortë dhe ai e kujton qartë atë moment.
“Ishte e dhimbshme ta dëgjoja. Në rrugën për në shkollë qava aq shumë sa mezi shihja rrugën. Mendoja se ëndrra ime kishte marrë fund”.
Megjithatë, po atë mbrëmje erdhi edhe një mesazh tjetër nga babai i tij, që kishte një ton ndryshe.
“Por atë mbrëmje, babai më tha se kisha talent, vetëm se duhej të punoja më shumë”.
Edhe nëna e tij nuk i dha mbështetjen që ai priste në atë çast.
“Shpresoja që nëna ime të më mbronte, si gjithmonë. Por ajo më pa në sy dhe tha: ‘Tijjani… ai ka të drejtë’”.
Ato fjalë, thotë mesfushori, e nxorën nga vetëkënaqësia dhe e shtynë të ndryshonte gjithçka në punën e tij.
“Ato fjalë më zgjuan. Nuk kërkova më justifikime. Fillova të stërvitesha dyfish më fort. Vrapime shtesë, palestër, punë individuale. Çdo ditë bëra një hap më shumë drejt ëndrrës sime”.
Puna e shtuar solli edhe kthesën e madhe në karrierë, megjithëse rruga nuk ishte pa pengesa.
“Pak vite më vonë erdhi kontrata ime e parë profesionale me AZ Alkmaar. Më pas erdhën momentet e vështira, huazimet, pritja për një shans dhe dyshimet nëse do t’ia dilja ndonjëherë. Por nuk u dorëzova”, kujton ai.
Pas AZ Alkmaar, karriera e tij vijoi te Milani dhe më vonë te Manchester City, ndërsa tani ai po spikat edhe me Holandën në Botërorin 2026.
