Holanda e ka përfunduar 45-minutëshin e parë në epërsi 2-0 përballë Suedisë, në një pjesë ku skuadra e Ronald Koeman u tregua më e saktë përpara portës, ndërsa suedezët krijuan raste, por nuk arritën t’i shfrytëzonin.
Ndeshja nisi me një qasje disi më këmbëngulëse nga Suedia, me Viktor Gyokeres që vuri në provë portën dy herë. Fillimisht, ai tentoi nga distanca, por u ndal nga portieri Bart Verbruggen, ndërsa më pas provoi edhe nga brenda zonës, me topin që përfundoi në duart e gardianit holandez.
Të lidhura
None found
Reagimi i Holandës erdhi shpejt, teksa vendasit nisën të marrin kontrollin e lojës. Cody Gakpo u shfaq i rrezikshëm me një goditje me kokë, por nuk ia doli të mposhtte portierin suedez.
Në minutën e pestë, Holanda gjeti golin e avantazhit. Pas asistimit të Cody Gakpo, Brian Brobbey e dërgoi topin në rrjetë nga afërsia për rezultatin 1-0.
Pas pësimit të golit, Suedia kërkoi të kundërpërgjigjej përmes Alexander Isak dhe Benjamin Nygren, por përpjekjet e tyre nuk prodhuan rezultat.
Në minutën e 17-të, Holanda shënoi edhe golin e dytë. Denzel Dumfries dha asistimin, ndërsa sërish ishte Brobbey që realizoi, duke përfituar nga hapësira në zonë dhe duke e dërguar topin në këndin e poshtëm për 2-0.
Skuadra holandeze mbeti më bindëse edhe në vazhdim në fazën sulmuese. Tijjani Reijnders provoi një aksion individual, por goditja e tij përfundoi jashtë kuadratit.
Në minutat e fundit të pjesës së parë, Suedia pati edhe një rast shumë të mirë me Gyokeres, por Verbruggen reagoi sërish shkëlqyeshëm, duke e mbajtur portën të paprekur.
