Florenc Leshnja është korçari me një histori tepër frymëzuese. Ai është larguar nga Shqipëria në vitin 1999 drejt SHBA-së dhe sot është sipërmarrës i 18 restoranteve.
Në një lidhje me Skype për “ABC e Mëngjesit”, Florenci ka treguar se fillimet kanë qene shumë të vështira, pasi prindërit donin të ktheheshin në Shqipëri dhe për 3 muaj valixhet i kanë mbajtur pa hapur.
“Ne jemi larguar nga Shqipëria në qershor të vitit 1999, gati 24 vite më parë. Unë kam qene në moshën 14-vjeç dhe në atë kohë jemi larguar me prindërit. Kam dhe një vëlla, 4 vjeç më të vogël nga unë. Ne ikëm me anën e lotarisë, si të gjithë korçarve. I doli babit dhe me anë të lotarisë u larguam.
Normalisht që çdo gjë ka qenë shumë e vështirë, si për mua dhe si për prindërit në fillim. Ishte si një punë ëndrre dhe dukeshe si e pabesueshme. Prindërit në fillim kanë kaluar shumë kohë të vështira. Valixhet nuk i kemi hapur për 3 muaj sepse prindërit mendonin të ktheheshin. Tre gjërat që i kanë mbajtur ata në SHBA: Nuk kanë pasur lekë të prisnin biletat për t’u kthyer mbrapsht, borxhet që kishin se normalisht kur erdhëm këtu, erdhëm me borxhe dhe ka qene një grua këtu që i ka mbajtur me kurajo. ‘Ti tani ke ardhur këtu dhe gjithë ky mund që ke bërë, duhet të punosh për fëmijët’, i ka thënë babit. Edhe nga këto tre gjëra nuk u kthyem mbrapsht”, rrëfeu ai.
Më tej, Florenci tregoi se si e nisi fillimisht punën si pjatalarës, më pas hapi restorantin e parë dhe deri në ditët e sotme.
“Restorantin e parë që kam marrë e kam shitur pas 3 vjetësh se atëherë isha në moshë të re dhe kisha marrë përsipër një barrë shumë të madhe. U lodha fizikisht, psiqikisht dhe 3 muaj pasi e shita, u ktheva në Shqipëri për t’u ç’lodhur dhe për t’u çmallur me njerëzit. Mbasi jam kthyer prapë, një shok ma ka mbushur mendjen dhe jemi kthyer ortak bashkë dhe kemi hapur vendin, edhe që aty pastaj të gjitha vendet që kemi hapur, i kemi hapur me kunetërit, vëllain, miqtë dhe shokët”, tha ai.