Nga papunësia, te pensionet e ulëta e korrupsioni, publikohet Barometri social – politik i Shqipërisë

Qendra Shqiptare për Qeverisje të Mirë publikoi sot Barometrin social – politik i Shqipërisë 2021, bazuar në sondazhet e pesë viteve të fundit në të gjithë vendin.

Autorët pohuan se të gjithë anketat bashkohen në pritshmërinë e lartë të qytetarëve për punësim, ndëshkim të korrupsionit dhe fuqizim të institucioneve demokratike. Korrespondenti ynë, Ilirian

“Barometri Social – Politik i Shqipërisë 2021” rendit si problem kryesor e të vazhdueshëm të vendit në 5 vitet e fundit papunësinë e rinisë, vështirësitë e rritura ekonomike të familjeve për shkak të pakësimit të burimeve financiare, pensionet e ulëta, minimumin jetike, përfshirë këtu edhe reduktimin e remitancave dhe mbështetjes financiare nga emigracioni.

Drejtuesi i Qendrës dhe një nga autorët e studimit, Arben Çejku, thotë se qytetarët kërkojnë veting ndaj politikanëve njëlloj si ndaj gjykatësve, pritshmëria e të anketuarve ndaj drejtësisë për të ndëshkuar korrupsionin në nivelet e larta të administratës vazhdon të jetë e lartë.

“Një problem tjetër shumë i madh është korrupsioni, kryefjala e shqetësimit publik të qytetarëve. Kur zbret në qytetet e vogla pesha e korrupsionit është më e madhe, sepse mundësia për të mbijetuar dhe për ta tejkaluar këtë problem është më e vogël. Qytetarët kërkojnë ndëshkim të korrupsionit, ndërsa pandëshkueshmëria është burimi i dëshpërimit për një pjesë të madhe qytetarësh” – thotë zoti Çejku.

Autorët pohuan se emigrimi i të rinjve po ashtu është një problem, që buron nga padrejtësia, varfëria, korrupsioni, papunësia dhe mungesa e perspektivës, si dukuri të lidhura zinxhir.

Qytetarët pohuan që më shumë besojnë tek faktori ndërkombëtar në përmirësimin e gjendjes se sa në aktorët e brendshëm.

Studiuesja Edlira Gjoni nënvizoi mungesën e besimit të qytetarëve tek institucionet, tek procesi zgjedhor dhe tek vlera e votës, ndërsa theksoi se duhen dëgjuar zërat e qytetarëve që vijnë nga sondazhet profesionale.

“Situata mbetet po e njëjta dhe një ndër arsyet kryesore është mosmarrja në vlerësim e studimeve të tilla të rëndësishëm. Kriza e opozitës u thellua, raportet me parlamentin mbeten po aq të dobëta, zbatimi i reformës në drejtësi është po aq problem dhe puna e kanabizimit të vendit është ende e pazgjidhur, mosbesimi i qytetarëve ndaj politikës dhe institucioneve mbetet i lartë” – thotë zonja Gjoni.

Ndërsa studiuesi Afrim Krasniqi shtoi se në Shqipëri mungon kultura e sondazheve, kur në vendet demokratike perëndimore publikohen cdo javë sondazhe me tema të rëndësishme për të kuptuar se cfarë mendojnë qytetarët për cështjet kritike të vendit.

Zoti Krasniqi thotë se në Shqipëri mungon edhe kultura e llogaridhënies nga politikanët para qytetarëve.

“Në dallim nga demokracitë funksionale ne nuk kemi llogaridhënie. Politikanët nuk shkojnë nëpër zona zgjedhore për të folur mbi premtimet dhe mbajtjen e tyre, por shkojnë të sulmojnë kundërshtarët, dhe për t’u shfaqur si e keqja më e vogël. Qytetarët nuk kanë mundësi për llogari-dhënie, ndaj ata i përdorin këto sondazhe për të nxjerrë në publik zemërimin dhe pakënaqësinë e tyre. Prandaj ne shohim një hendek të madh midis asaj që mendojnë qytetarët dhe asaj që mendojnë politikanët në Shqipëri. Ndryshimet janë ekstremisht të kundërta në përparësitë që renditin qytetarët dhe atyre që përmendin politikanët” – thotë zoti Krasniqi.

Sipas sondazheve të Qendrës për Qeverisje të Mirë më shumë se gjysma e të anketuarve pohuan se të ardhurat familjare pësuan rënie gjatë vitit 2021, mbi 70 për qind e tyre ishin skeptikë që gjendja do të përmirësohej në krahasim me vitin e kaluar.

Afro tre të katërtat e të anketuarve pohuan se nuk morën ndonjë ndihmë financiare gjatë pandemisë, dhe se nga partitë politike kërkojnë t’u rregullojnë punësimin, ekonominë dhe shëndetësinë./VOA


Shtuar 31.05.2022 18:22