Nga kompanitë e sigurimeve te mediat e arsimi privat, tatimet nisin kontrolle për nën deklarimin e pagave të punonjësve

Administrata tatimore ka nisur kontrollet për mos deklarimin real të pagave nga kompanitë e sigurimeve, mediat dhe nga institucionet e arsimit privat.

Sipas analizës së thelluar të Drejtorisë së Riskut në Administratën Tatimore Plan sektorial për kontrollin e informalitetit të pagave, rezulton se krahas tregtisë dhe ndërtimit, edhe këto tre sektorë të tjerë paraqesin rrezik të lartë për evazion në paga, pasi shumë punonjës deklarohen me rroga minimale, dhe të tjerë nën deklarohen pavarësisht se paguhen mirë.

“Me përfundimin e punës së njësisë antiinformalitet, nga rezultatet e arritura gjatë këtyre muajve, si dhe analizës së thelluar të Drejtorisë së Riskut në Administratën Tatimore, krahas 2 sektorëve të vlerësuar me risk më parë ai i ndërtimit dhe tregtisë, janë evidentuar me risk për nëndeklarimin e pagave edhe 2 kategori të tjera:

Sektori i Shoqërive të  Sigurimeve, Sektori i Mediave dhe Komunikimit dhe Sektori i Institucioneve të Arsimit privat

Tatimpaguesit e evidentuar me risk në iniciativën e dhjetorit 2021, por që nuk patën reagim pozitiv.

Me qëllim parësor sigurimin dhe përmbushjen e detyrimeve, që rrjedhin nga legjislacioni tatimor në fuqi, Administrata Tatimore njofton tatimpaguesit se do të vijojë kontrollet nëpërmjet zbatimit të planit sektorial për kontrollin e informalitetit të pagave, faza II, në të gjithë territorin e Republikës së Shqipërisë”, thotë Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve.


Shtuar 5.08.2022 12:18