Viti 2025 u shënua nga disa ngjarje të rënda kriminale që tronditën publikun dhe rendin në vend.
Gjatë periudhës 1 janar-30 nëntor 2025, janë regjistruar 39 vrasje në territorin e Shqipërisë, ndërsa 8 prej tyre mbeten ende me autorë të paidentifikuar, kryesisht në zonat e Shkodrës dhe Lezhës. BalkanWeb sjell si më poshtë ngjarjet kriminale më të bujshme të vitit që sapo lëmë pas.
SKEDAT E KRIMIT
-Në 6 janar 2025, u regjistrua vrasja e Ramzan Matajt në Dragoç, Shkodër, i gjetur i vrarë brenda makinës së tij. Për krimin u arrestuan Arjon dhe Klisman Hasaj.
-Në 12 janar të 2025-ës u vra Bujar Nasufi në Tiranë, krim për të cilin u arrestuan vëllezërit përmetarë Voltan e Jugert Xhani. Ata dyshohen të jenë të implikuar ne cilësinë e organizatorëve dhe financuesve në vrasjen e biznesmenit, ngjarje që ndodhi në afërsi të zonës së njohur si Pallati me Shigjeta në Tiranë.
-Në 13 janar u vra Kristian Marku në Vlorë. Dosja e tij penale përmbante një sërë akuzash që lidhen kryesisht me përfshirjen në konfliktin e përgjakshëm mes fiseve Reçi, Gjini dhe Bardhi në qytetin e Rrëshenit.
-Në 24 janar vritet Lulzim Visha në Tiranë. Në pranga për krimin përfundoi Eduart Lami, 37-vjeç.
27 shkurt 2025 solli një tjetër vrasje të rëndë në Shkodër, ku u vra Pavlin Preka, krim për të cilin janë arrestuar Vasel Koçeku, 43 vjeç dhe Klaudio Lisaj, 20-vjeç.
-Më 17 prill 2025 u regjistrua vrasja e Gjovalin Prendit në Lezhë, edhe ky rast pa autorë të arrestuar, ndërsa si motiv dyshohet se është hakmarrja.
-Sakaq, një tjetër krim u regjistrua më 1 qershor 2025, ku u vra Pjetër Kazës, në Lezhë. Edhe ky krim dyshohet se ka ndodhur për shkak të gjakmarrjes që daton në 1994 mes fiseve Gjini dhe Kaza.
-Më 4 qershor 2025, në qytetin e Durrësit, u vra Ermir Dedja (29 vjeç), ngjarje e cila çoi në arrestimin e dy personave, Erion Ndoni dhe Klodian Berisha, ndërsa një tjetër i shpallur në kërkim Xhuljano Dyrmishi, dyshohet për përfshirje në këtë vrasje dhe në organizimin e saj kriminal.
-Një tjetër ngjarje e rëndë ndodhi më 4 gusht 2025 në Vau të Dejës, kur u vra Frrok Lleshaj, edhe ky rasti mbetet i pazbardhur nga policia. Ndonëse nuk ka të arrestuar, pista kryesore e vrasjes për policinë mbetet ajo e gjakmarrjes. Hasmëria mes familjes Lleshaj dhe dy familjeve të tjera ka prodhuar që nga fillim vitet ’90, 5 viktima deri më tani.
Frrok Lleshaj është i treti që vritet pas djalit dhe vëllait të tij në fillim vitet ’90 ndërsa të vrarë janë edhe kushëriri i tij Dodë Lleshaj me të cilin lindi konflikti dhe një shtetas tjetër nga Puka. Gjithçka nisi në vitin 1991 kur djali i 65-vjeçarit u vra në Greqi.
-Më 14 gusht mbeti i vrarë 14-vjeçar. I mituri Erald Xhejo u vra me thikë nga një bashkëmoshatar, pas një sherri për motive banale.
-Pirro Prroni (61 vjeç), u vra më 28 gusht 2025 në Abat i Postribë, ndërsa autori Ndoc Maçaj u dorëzua në polici.
-Kristian Kola (34 vjeç), u vra më 4 shtator 2025 pas një sulmi me armë në Shkodër.
-Armando Pali dhe Liridon Kraja (alias Lusha), u vranë më 8 shtator 2025 në një bar pranë Shkodrës në një sulm me armë, ku u plagosën edhe të tjerë. Autor Ragip Gila u arrestua.
-Më 18 shtator u nxor pa jetë në një humnerë Mirel Çokaj, ndërkohë familjarët e tij pretendojnë se ai është vrarë për parcelat e kanbanisit. Prokuroria e Shkodrës ka nisur hetimet.
-Ndërkohë, ngjarja më kriminale e këtij viti padyshim ishte vrasja e gjyqtarit Astrit Kalaja më 6 tetor 2025 në sallën e gjyqit. Kalaja u qëllua për vdekje brenda sallës së Gjykatës së Apelit në Tiranë nga një i pandehur gjatë një seance për një konflikt pronësie.
Dy persona të tjerë u plagosën, ndërsa për krimin u arrestua Elvis Shkambi, ndërsa për përkrahje të autorit u arrestua xhaxhai i tij, Gjon Shkambi. Akti tronditi sistemin e drejtësisë dhe pati reagime nga institucionet më të larta të shtetit.
-Krim i dyfishtë u regjistrua në 22 tetor, ku pas një sherri banal u vranë Flori Paluçi dhe Aranit Kurti. Ngjarja ndodhi jashtë një lokali në Manzë, ndërsa sherri nisi për një kafe.
-Një tjetër ngjarje e rëndë ishte ajo e ndodhur më 28 tetor të vitit që sapo lëmë pas, ku 42-vjeçari Keli Hoxha u vra nga Kristo Mema. Sherri nisi për kalin e autorit të dyshuar të krimit. Ky i fundit u arrestua pasi tentoi të arratisej.
-Po në këtë ditë, më 28 tetor, Filip Shehu, 41 vjeç, vrau kuzhinierin Indrit Ismaillari, 34 vjeç, i cili ndërroi jetë në spital pas goditjeve fatale me thikë.
Ndërkohë, një tjetër ngjarje e rëndë pasoi atë ditë, ku 25-vjeçari Marjan Kodheli vrau me thikë në banesën e tyre babanë, Pjetër Kodhelin. Ndonëse tentoi të arratisej, ai u arrestua nga policia.
-Më 11 nëntor 2025 u regjistrua atentati në afërsi të Rinasit, ku u vra Gilmando Dani dhe agjenti i AMP-së, Muçi Shaliani (Sheqeri).
-Më 26 nëntor, në Durrës mbeti i plagos pas një sherri për motive të dobëta 15-vjeçari Erion Boba. Ai ndërroi jetë në spital pas 9 ditësh, ndërsa një bashkëmoshatar u arrestua për krimin që zanafillën e sherrit e kishte në TikTok.
-Më 30 nëntor vritet në ambientet e biznesit të tij, brenda makinës Mondi Mëhall, në Elbasan, krim për të cilin janë arrestuar disa persona.
