Është zhvilluar një ceremoni përkujtimore në Tiranë për ushtarët britanikë të rënë gjatë Luftës së Dytë Botërore në Shqipëri.
Të pranishëm në këtë ceremoni të zhvilluar në varrezat e ushtarëve britanikë në Liqenin Artificial, ishin figura të larta politike të vendit, diplomatë si dhe drejtues të institucioneve të rëndësishme të vendit.
Mes tyre ishin ambasadorët britanik dhe amerikan, Alastair King Smith dhe Yuri Kim. Mes politikanëve janë deputetët e PD-së, Lulzim Basha, Belind Këlliçi, Bujar Leskaj, deputetja e Partisë së Lirisë, Monika Kryemadhi.
Ndërsa nga socialsitët janë të pranishëm, Taulant Balla, Mimi Kodheli, Pandeli Majko, Fatmir Xhafaj dhe Elisa Spiropali.
Edhe Prokurori i Përgjithshëm, Olsjan Çela e drejtuesi i SPAK, Arben Kraja ishin të pranishëm.
Kjo ceremoni përkujton ushtarët britanikë të rënë gjatë Luftës së Dytë Botërore në Shqipëri. Gjatë kësaj lufte 52 ushtarakë britanikë dhe të Komonuelthit u vranë në vendin tonë.
Sakrifica e tyre për shumë kohë nuk përmendej në të dhënat historike të Shqipërisë pasi Britania konsiderohej nga regjimi i shkuar komunist, si vend imperialist armik. Në tetor 1944, 40 komando të marinës britanike nisën një sulm për të vënë nën kontroll qytetin jugor të Sarandës.
Kur zbarkuan në një nga gjiret e qytetit hasën një rezistencë të fortë nga ana e forcave gjermane. Megjithatë, ata arritën të thyenin rezistencën e këtyre forcave duke iu bashkuar forcave të partizanëve shqiptarë për të vazhduar më tej luftën.
Varrezat memoriale janë ndërtuar në vitin 1994, në afërsi të vendit ku autoritetet komuniste kishin varrosur trupat e ushtarëve të rënë britanikë në një varr të përbashkët të pashënuar, nën një prej rrugëve afër ndërtesës së Universitetit të Tiranës.