Ditën e nesërme do të mbahet takimi i përbashkët mes dy qeverive, të Shqipërisë dhe të Kosovës.
Mbledhja do të mbahet në Prishtinë dhe besohet se draft-marrëveshjet mund të jenë gati pasi kryeministri Albin Kurti i kërkoi ministrave që deri më 10 qershor të përfundoheshin çështjet që lidhen me marrëveshjet ndërshtetërore.
Nga ana tjetër sot kryeministri Edi Rama i shoqëruar nga disa ministra të kabinetit të tij, pritet të vizitojë familjen e ish-presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi në Kosovë.
Po ashtu, Rama pritet të vizitojë dy nga fabrikat eksportuese më të mëdha kosovare.
Në këtë vizitë në Kosovë, Rama do jetë bashkë me delegacionin ku bëjnë pjesë, ministrja e Financave dhe Ekonomisë, Delina Ibrahimaj, ajo e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Frida Krifca, Mirela Kumbaro e Turizmit dhe Mjedisit, si edhe Elisa Spiropali, ministre për marrëdhëniet me parlamentin.
Pasi t’i kenë përfunduar këto vizita të dielën, ministrat do të shkojnë në Prishtinë, ndërsa Rama do të shkojë në Burojë, te familja e ish-presidentit Hashim Thaçi, të cilin e vizitoi ditë më parë edhe në qendrën e paraburgimit në Hagë.
Kujtojmë se mbledhja e fundit e qeverive Kosovë-Shqipëri u mbajt në fund të nëntorit të shkuar në Elbasan./albeu.com/