Ditën e neserme kryeministri italian, Mario Draghi, do t’i drejtohet Senatit.
Pritet që ai të mbajë fjalën e tij rreth orës 18:30 me orën lokale dhe pritet që të bëjë të ditur nëse do të mbetet kryeministër, apo do të japë dorëheqjen e përhershme.
Nesër në orën 18.30 me orën lokale, gjithashtu në Senat, do të nisë procedura për votëbesimin e qeverisë, e cila pritet të përfundojë, me shpalljen e rezultatit, rreth orës 19.30.
Të enjten në mëngjes, kryeministri i Italisë pritet t’i drejtohet Dhomës së Përfaqësuesve. Pasditen e së njëjtës ditë, Parlamenti do të duhet të shprehë me votëbesim edhe mosmiratimin apo mbështetjen e qeverisë shumëpartiake në Romë.
Megjithatë, është e qartë se dita vendimtare është nesër: edhe sepse kreu i qeverisë në Romë do të bëjë të ditur vullnetin e tij përfundimtar, edhe sepse në Senat qeveria gëzon, gjithsesi, një mbështetje më të kufizuar.