Nëse Rusa përdor armë bërthamore, Biden: Bota mund të përballet me “Armageddon-in”

Presidenti amerikan Joe Biden ka paralajmëruar se bota mund të përballet me “Armagedonin” nëse Vladimir Putin vendos të përdorë armë taktike bërthamore për të fituar luftën në Ukrainë.

Kjo është hera e parë që presidenti amerikan shprehet kaq hapur për mundësinë e një luftë bërthamore. Komentet, Joe Biden i bëri në një mbledhje fondesh demokratike në Nju Jork, duke thënë se ishte katastrofa bërthamore më e afërt që i afrohet botës në 60 vitet e fundit.

“Ne nuk jemi përballur me perspektivën e Armagedonit që nga Kennedy dhe kriza e raketave kubane,” tha ai.

“Kemi të bëjmë me një tip që e njoh mjaft mirë,” tha Biden, duke iu referuar presidentit rus.

“Ai nuk bën shaka kur flet për përdorim të mundshëm të armëve bërthamore taktike ose armëve biologjike ose kimike, sepse ushtria e tij, mund të thoni, është shumë e dobët.”

Kujtojmë se Putin dhe zyrtarët e tij kanë kërcënuar vazhdimisht se do të përdorin arsenalin bërthamor të Rusisë në një përpjekje për të penguar SHBA-në dhe aleatët e saj që të mbështesin Ukrainën dhe ta ndihmojnë atë t’i rezistojë pushtimit rus të nisur në shkurt.

Asaj që bota i frikësohet është mundësia e përdorimit të armëve bërthamore “taktike” me rreze të shkurtër në tentativë për të ndalur kundërsulmin e Ukrainës dhe ta detyrojë Kievin të negociojë. Biden tha të enjten mbrëma: “Unë nuk mendoj se ka ndonjë gjë të tillë si aftësia për të përdorur lehtësisht një armë bërthamore taktike dhe për të mos përfunduar me Armageddon”.

“Për herë të parë që nga kriza e raketave Kubane, ne kemi kërcënimin e një arme bërthamore nëse në fakt gjërat vazhdojnë në rrugën që po shkojnë”, tha presidenti.

“Ne po përpiqemi të kuptojmë se cila është rruga e daljes e Putinit? Ku e gjen një rrugëdalje? Ku e gjen veten ku jo vetëm humbet fytyrën, por edhe pushtetin e rëndësishëm?”

Agjencitë e inteligjencës amerikane besojnë se Putini e ka parë humbjen në Ukrainë si një kërcënim ekzistencial për regjimin e tij, të cilin ai e lidh me një kërcënim ekzistencial për Rusinë, duke justifikuar potencialisht, sipas botëkuptimit të tij, përdorimin e armëve bërthamore.


Shtuar 7.10.2022 08:09