Më shumë se një duzinë vendesh, shumica e të cilave në Evropë, kanë pezulluar përdorimin e vaksinës së kompanisë “AstraZeneca”, nga frika se doza e saj mund të shkaktojë mpiksje të gjakut.
Suedia dhe Letonia u bënë të enjten vendet më të fundit që ndërprenë procesin, pas lëvizjeve të ngjashme të mara nga Gjermania, Italia, Spanja, Franca, Danimarka, Norvegjia, Holanda etj.
Por Organizata Botërore e Shëndetësisë ka përsëritur dhe shprehur vazhdimisht besimin se vaksina është e sigurt.
Vetë drejtori i përgjithshëm Tedros Adhanom Ghebreyesus ka deklaruar se deri tani nuk ka prova që lidhin produktin e “AstraZeneca” me rastet e vdekjeve.
Mbi 17 milionë persona kanë marrë vaksinën në fjalë në Mbretërinë e Bashkuar dhe në Bashkimin Evropian, me më pak se 40 raste mpiksje të gjakut të verifikuara javën e kaluar, raportoi kompania anglo-suedeze ditën e diel.
Autoritetet suedeze, që e ndërprenë vaksinimin këtë të martë, deklaruan se e bën atë për arsye kujdesi. Ndërsa qeveria letoneze tha se pezullimi do të zgjaste për dy javë./euronews