Nga 2022-shi qytetarët duhej lirisht t’i kalojnë pikat kufitare me Serbinë dhe Shqipërinë, por edhe gjatë kësaj vere kjo gjë nuk u realizua.
“Ato domate vijnë këtu pa asnjë pengesë ndërsa për të shkuar në Bosnje ato bëhen salcë në kufij. Rruga dhe kufiri për në Bosnjë është agro-përpunim, këta porosisin domate të freskëta marrin salcë ose anasjelltas kush porosit qumësht merr kos ose dhall. Pse? Sepse do duhet të presin në kufij e të bëjnë analiza, prit se duhet ta çojnë që ta analizojmë e të kthehet nga qendra është mirë apo s”është mirë prodhimi, ndërkohë që këtu është shumë e qartë, ky është fakt”, tha kryeministri i Shqipërisë Edi Rama.
Edhe më tej nuk ka qasje të lirë deri në tregun e punës. Nuk është vendosur leja e unifikuar e punës për Maqedoninë, Serbinë dhe Shqipërinë. Procesi ngec për shkak të vendit tonë.
“Është e rëndësishme të tregojmë se Serbia dhe Shqipëria i miratuan të gjitha dokumentet e nevojshme për lejet e punës dhe për vendosjen e tregut të unifikuar të punës, por pa lejet e punës nuk mund të ketë as treg të unifikuar të punës, as diçka tjetër. Maqedonia, i bëri të gjitha punët teknike, gjë që është shumë e rëndësishme, por mungon vendimi i Kuvendit të Maqedonisë dhe besojmë se gjatë ditëve apo javëve në vijim kjo do të bëhet”, tha Aleksandar Vuçiq, president i Serbisë.
Liderët ranë dakord se ky është gur themeli prej ku do të fillojnë punët e mëdha. Por siç thonë, është e vështirë që të koordinohen tre shtete dhe vendimet e tyre.
Paraprakisht, mediat serbe publikuan se rreth 30 mijë zejtarë, mjekë, infermiere dhe punëtorë teknikë të Maqedonisë, nga shtatori do të punojnë në Serbi pa asnjë dokument shtesë, pa leje të punës dhe leje të tjera të veçanta.
Është paraparë që qytetari i cili dëshiron të punësohet në një prej këtyre tre vendeve, t’i vendosë të dhënat e tij përmes portalit “e-Drejtoria” dhe në këtë mënyrë ta marrë numrin e identifikimit të nismës Ballkani i Hapur. Por kjo do të hyjë në fuqi pasi deputetët e Maqedonisë japin dritë jeshile./TV 21