Ndërkombëtarët me “syrin” të zgjedhjet e nesërme, Celibashi zbulon arsyen

Kreu i KQZ, Ilirjan Celibashi ka deklaruar në News24, se ngjarja e Elbasanit nuk ka efekt pozitiv tek qytetarët, që do t’i drejtohen nesër kutive të votimit për të zgjedhur qeverinë e re.

Ai gjithashtu ka folur edhe lidhur me takimet dhe deklaratat e ndërkombëtarëve për këto zgjedhje, ndërsa pranon se interesi i tyre lidhet me procesin e integrimit të Shqipërisë në BE.

“Nuk janë ngjarje të mira, padiskutim që jo, dhe e kanë atë efektin jopozitiv, madje mund të kenë dhe efekt negativ, por shpresojmë që në këto dy ditë mënyra se si drejtuesit dhe udhëheqësit politikë u janë drejtuar mbështetësve të tyre, të ketë ndikuar për një administrim më të qetë të procesit të zgjedhjeve. Ka një mungesë të theksuar mes palëve ndaj njëra-tjetrës, asnjëra nuk ndjehet e sigurt në atë se çfarë bën pala tjetër”, tha Celibashi.

“Prej disa kohësh, muajsh, komunitet ndërkombëtar këtu në Tiranë, por edhe në Bruksel e Uashington, kanë demonstruar një vëmendje të madhe e të shtuar për zgjedhjet në Shqipëri, pasi është e qartë se cilësia e këtyre zgjedhjeve lidhet shumë me ecurinë e procesve integruese dhe duket sikur më të merakosur janë ndërkombëtarët për fatin e zgjedhjeve në Shqipëri, se sa ne, përfshi këtu gjithë shoqërinë. Kjo vëmendje e shtuar e komunitett ndërkombëtar tregon interesin e tyre për Shqipërinë. Fakti është se vëmendja e tyre është serioze dhe e përligjur. Na takon ne që t’i adresojmë mirë të gjitha shqetësimet e tyre. Siguria e procesit, garancia e votës, fshehtësia e votës, siguria që kjo votë është shprehje e vullnetit të lirë e të plotë të votuesit, janë shqetësimet e tyre kryesore”, u shpreh kreu i KQZ.