Ditën e sotme është ndarë nga jeta në moshën 69-vjeçare një ndër balerinat e para shqiptare të Baletit të Kosovës, Esma Mulla.
Lajmi është konfirmuar nga Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit në Kosovë me anë të një postimi të publikuar në Facebook.
“Me pikëllim të thellë morëm lajmin se u nda nga jeta Esma Mulla, njëra prej balerinave të gjeneratës së parë të Kosovës.
Mulla ka qenë pjesë e Baletit në Kosovë qysh prej themelimit ndërsa me performancat e saj, ka shënuar kthesë jetike jo vetëm për baletin por për vrullin teatror dhe rritjen e vlerave kulturore në Kosovë. Ka qenë e njohur për një mori rolesh dhe shfaqjesh si “Legjenda mbi ngadhënjimin“,“Vallja pranverore“, “Bolero dhe Shtrausiana“.
Sot humbëm një person me vlera të çmuara që kontribuoi pareshtur për artin e vallëzimit dhe teatrit në veçanti, por edhe për kulturën e vendit tonë në përgjithësi.
Ngushëllime familjes së Esma Mullës, miqve dhe komunitetit artistik! , njofton Ministria e Kulturës së Kosovës.
E lindur, më 22. 09. 1952, në Pejë, Esma Mulla ishte njëra nga artistet e Dukagjinit që ka dëshmuar jeh skenik në dërrasat e teatrit
gjersa po sendërtohej kultura e hapit skenik të gjinisë femërore.
Ajo ka luajtur një mori rolesh dhe shfaqjesh: “Legjenda mbi ngadhënjimin“, “Vallja pranverore“, “Bolero dhe Shtrausiana“, “Interplay” (Zana) “Coppelia”, “Era dhe Kolona”,“Kënga e Rexhës”,“Romeo dhe Zhulieta”, “Besa“, “Carmen”, “Balloja e Kadetëve”, “Zef Lush Marku”, “Don Kishoti”, “E bukura More”, “Peter Pani”, “Loja e Sizifit”, “Fyelltari”./albeu.com