Nancy Pelosi do të garojë sërish në zgjedhjet e Kongresit

Nancy Pelosi, ish-udhëheqësja e Dhomës së Përfaqësuesve në Kongresin amerikan, ka thënë se synon të garojë në zgjedhjet e nëntorit të vitit të ardhshëm.

Pelosi, 83-vjeçare, ka fituar për herë të parë ulëse në distriktin e saj në San Francisko më 1987, dhe më pas ka shërbyer dy periudha në krye të Dhomës së Përfaqësuesve, më 2007-2011 dhe 2019-2023.

Ajo i ka udhëhequr demokratët për dy dekada në këtë trup të Kongresit, ndërsa e ka humbur këtë pozitë vitin e kaluar pas fitores së republikanëve në Dhomën e Përfaqësuesve.

Vendimi i saj për t’i hyrë sërish garës ka shumë gjasa që ta ringjallë debatin për moshën e politikanëve në Shtetet e Bashkuara – një pjesë e mirë e tyre mbi 76 vjeç.

“Tani, më shumë se kurrë duhen avancuar vlerat e San Franciskos dhe të rimëkëmbemi”, ka thënë Pelosi përmes një postimi në platformën X, të njohur më parë si Twitter.

“Vendi ynë ka nevojë për një Amerikë që i tregon botës së flamuri ynë është ende aty, dhe se ka liri e drejtësi për të gjithë. Prandaj do të garojë sërish dhe me respekt e kërkoj votën tuaj”.

Pelosi është gruaja e parë amerikane në historinë amerikane që ka qenë në krye të Dhomës së Përfaqësuesve dhe ka luajtur rol kritik në avancim apo prishje të agjendave për shumë ish-presidentë amerikanë./rel


Shtuar 9.09.2023 07:29