Pak ditë më parë bëri bujë në media një foto, në të cilën shfaqeshin misset shqiptare, Frontina Gashi dhe Besa Çitaku bashkë me miss Malin e Zi dhe atë të Serbisë, Valentina Petrovic, duke bërë shqiponjën me duar. Reagimet e ashpra nga serbët bënë që Valentina të kërkonte ndjesë publike e të tërhiqej nga gara.
Sot Misset shqiptare në një intervistë për emisionin “Abc-ja e mëngjesit” treguan se fotoja ishte e rastësishme dhe se Valentina ishte kërcënuar për të lënë garën.
“Fotoja është bërë rastësisht, kemi qenë me Miss Malin e Zi dhe me Serbinë. Na kanë ftuar me bërë një foto dhe në momentin që e ka nxjerrë Frontina në Instagram u bë e madhe. Raporti jonë mes neve ka qenë shumë i mirë, kemi qenë nëpër darka mes të tjerash por kemi pasur një raport shumë të mirë”, tha Besa.
Më tej, ato shtuan se Valentina iu ishte kërkuar një foto me simbolin e Serbisë për të shuar reagimet. “Ka qenë pa dëshirën tonë, ka qenë arsyeja që e kemi bërë me simbolin e tyre. Ka ardhur në dhomën tonë duke qarë. Na ka lutur shumë me e bërë foton. E kemi bërë për hatër të menaxherit të saj për t’u qetësuar pak gjendja dhe për të mos e larguar prej garës“, tregoi Besa.