Deputeti i Dibrës Xhelal Mziu, ka shuar zërat se do të kandidojë në primaret e PD-së për Bashkinë e Kamzës.
Në një prononcim për Gazetën Express, deputeti Mziu tha se nuk do të kandidojë.
Nuk do kandidoj. Nuk e kam menduar se jam drejtues i qarkut politik Dibër”, tha Mziu për Express.
Pas Shemsi Prençit, në primaret e PD-së për Kamzën ka deklaruar se do të marrë pjesë edhe ish-deputeti Asllan Dogjani. I pyetur për dy kandidaturat, Mziu, deklaroi se nuk dëshiron t’i komentojë.
Prononcimi i Mziut për Express
Përflitet se ju do jeni një nga kandidatët në Primaret e PD për bashkinë e Kamzës. Kur do e shpallni kandidaturën?
Xhelal Mziu: Nuk do kandidoj. Nuk e kam menduar se jam drejtues i qarkut politik në Dibër.
Pra po e lini rrugën e lirë për dy kandidatët e tjerë, Shemsi Prençin dhe Asllan Dogjanin?
Xhelal Mziu: Nuk jam unë që e përcaktoj. Unë sfidën e kam me socialistët.
Si i komentoni dy kandidaturat që janë shpallur deri tani? Kë mbështesni ju personalisht meqë nuk do kandidoni?
Xhelal Mziu: Nuk merrem me asnjë person, nuk dua të shpreh asnjëlloj konsiderate. Asnjë person nuk e shoh me asnjë lloj syri. Unë dua që kandidati që të çertifikohet nga PD të mundë socialistët.
Mes Dogjanit dhe Prençit, kush mendoni se mund të jetë më i fortë përballë kandidatit të PS?
Xhelal Mziu: E vendosin primaret dhe kryesia e PD.
A e shikoni veten një kandidat më të fortë përballë Rakip Sulit sesa dy emrat që kanë shpallur kandidaturën deri tani nga ana e PD?
Xhelal Mziu: Të uroj ditën e mbarë./Gazeta Express