Propozimi i Francës për zgjidhjen e një kontesti midis Shkupit dhe Sofjes, që do t’i hapte rrugë integrimit të mëtejshëm të Maqedonisë së Veriut në Bashkimin Evropian, mbetet çështja më e diskutueshme, që ka shkaktuar përplasje politike, tensione dhe protesta në rrugët e Shkupit.
Propozimi, sipas disave, është “tradhti kombëtare”, ndërsa për disa të tjerë mundësi e mirë për ta çuar vendin drejt anëtarësimit në BE.
“Nuk duam të na përsëritet Marrëveshja e Prespës [për ndryshimin e emrit të shtetit nga Maqedoni në Maqedoni e Veriut] e bërë nga [ish-kryeministri maqedonas] Zoran Zaev. Ajo ishte një marrëveshje e turpit. Në historinë botërore nuk është parë një tradhti e këtillë. Nuk duam që e njëjta të na përsëritet me Bullgarinë”, tha Stojka Nedelkova, banore e Shkupit, që mori pjesë në një protestë para Kuvendit të Maqedonisë së Veriut, të martën mbrëma.
Protestat kundër propozimit francez, të organizuara nga opozita maqedonase, janë në javën e dytë të tyre.
Për më shumë se dy vjet, Bullgaria, si anëtare e BE-së, ka bllokuar hapjen e negociatave të anëtarësimit të Maqedonisë së Veriut në bllok, duke e akuzuar Shkupin për mosrespektimin e lidhjeve të përbashkëta kulturore dhe historike.
Ndër kërkesat kryesore të Bullgarisë është të pranohet se gjuha e Maqedonisë së Veriut rrjedh nga bullgarishtja. Sofja, po ashtu, kërkon njohjen e pakicës bullgare në Maqedoninë e Veriut.
Propozimi i Francës parashikon lëshime nga të dyja palët. Qeveria në Shkup, mes tjerash, do të angazhohej për ndryshimin e Kushtetutës, me qëllim njohjen e pakicës bullgare.
Qeveria maqedonase e ka mbështetur propozimin, duke thënë se ai nuk rrezikon interesat apo identitetin kombëtar. Por, partia kryesore opozitare, VMRO-DPMNE, si dhe të tjerë nuk pajtohen dhe thonë se propozimi favorizon kërkesat bullgare, që, sipas tyre, vënë në dyshim historinë, gjuhën, identitetin, kulturën dhe trashëgiminë e Maqedonisë së Veriut.
Zoran Dimitrievski, pensionist nga Shkupi, mendon ngjashëm.
“Duan që me Maqedoninë [e Veriut] të bëjnë kasaphanën më të madhe në Ballkan. Këtë nuk guxojmë ta lejojmë. Kemi dalë për të kundërshtuar tradhtinë e radhës që po përgatitet nga ky pushtet”, tha Dimitrievski, duke protestuar në Shkup.
Por, sipas Sefë Osmanit, pensionist nga Tetova, propozimi duhet të pranohet si mundësi e vetme për integrimin evropian të Maqedonisë së Veriut.
“Është një propozim që besoj se i jep shans inkuadrimit të Maqedoninë së Veriut në Bashkimin Evropian. Mbi të gjitha, është një kornizë, e cila gjithashtu mbron edhe gjuhën maqedonase, edhe identitetin maqedonas. Mendoj se kjo që është duke u bërë nga opozita, është një gjueti shtrigash dhe një koncept që nuk i kontribuon integrimit evropian të vendit”, tha Osmani.
Sipas një hulumtimi të bërë nga Instituti për Hulumtime Politike në Maqedoninë e Veriut, 73 për qind e qytetarëve maqedonas janë shprehur kundër propozimit francez, ndërsa, në nivel shteti, ky propozim nuk mbështetet nga rreth 56 për qind e të anketuarve.
Mungesa e transparencës së Qeverisë maqedonase rreth propozimit francez, por edhe rreth negociatave me Bullgarinë për heqjen e bllokadës, ka rritur mosbesimin e qytetarëve në Maqedoninë e Veriut, thotë për Radion Evropa e Lirë Bashkim Selmani, njohës i çështjeve politike.
Edhe Zhaneta Trajkovska, nga Instituti për Studime të Komunikimit, thotë se publikimi jo i plotë i dokumenteve që synojnë zhbllokimin e procesit të integrimit evropian, ka shtuar dozën e mosmosbesimit te qytetarët, se Qeveria “është duke fshehur diçka, që mund t’i dëmtojë interesat kombëtare e shtetërore”.
Propozimi francez është publikuar në faqen zyrtare të Qeverisë së Maqedonisë së Veriut, por nuk ka pasur debate në opinion për qartësimin e të gjitha pikave.
Ai është prezantuar sipërfaqësisht nga Qeveria, e cila, pastaj, e ka ftuar opinionin që ta lexojë atë në ueb-faqen e saj zyrtare. Kryeministri maqedonas, Dimitar Kovaçevski, dhe disa ministra kanë theksuar se propozimi “nuk rrezikon gjuhën maqedonase”, por pa qartësuar procedurat mbi të cilat duhet të kalojë i gjithë procesi.
Opozita maqedonase vazhdimisht e ka akuzuar Qeverinë për “bisedime sekrete” me Sofjen, por edhe me Francën, si autore e propozimit për zgjidhjen e kontestit.