Reshjet e dendura të shiut kanë krijuar një situatë problematike në qytete të ndryshme si pasojë e përmbytjeve të shkaktuara.
Disa lumenj kanë dalë nga shtrati dhe kanë përmbytur zonat përreth, duke vendosur në vështirësi edhe banorët.
Ministria e Mbrojtjes njofton se po ndjek me seriozitet situatën e krijuar dhe bën të ditur se Forcat e Armatosura janë angazhuar në terren për të garantuar sigurinë e jetës së tyre.
Drejtori i Përgjithshëm i Agjencisë Kombëtare të Mbrojtjes Civile Haki Çako dhe Drejtori i Gatishmërisë dhe Përgjigjes Emergjente Robert Hysenllari janë duke ndjekur situatën në terren në zonat me rrezikshmëri, njofton ministria.
Ministri i Mbrojtjes, Niko Peleshi u shpreh për mediat se situata është emergjente në zona të caktuara në veri dhe jug të vendit, por dëmet për shkak edhe të investimeve të kryera vitet e fundit janë më të vogla krahasuar me vitin 2017.
“Dëmi është shumë më i vogël se në vitin 2017, për shkak edhe të ndërhyrjes që kemi bërë në këto vite, ku kemi krijuar një argjinaturë. Kjo ndërhyrje ka bërë që të lumi të mos dalë nga Darëzeza, duke mbrojtur shumë toka nga përmbytjet. Kemi bërë disa evakuime, kemi vepruar në kohë, kemi pasur bashkëpunim edhe nga banorët. I kuptoj emocionet e banorëve në këto situata, por ne kemi 10 ditë që njoftojmë për parashikimin. Prej 10 ditësh kemi ngritur shtabet e emergjencave”, tha Peleshi.
Sipas tij, rritja e nivelit të ujit tek Ura e Mifolit është më e madhja e parë ndonjëherë.
“Nga veriu në jug kemi situata emergjence, në jug është më masive për shkak të përmbytjes, por edhe në veri, si në Theth, kemi një bllokim rrugësh apo akse, ku kalohet me vështirësi, edhe disa fshatra po përjetojnë mungesën e energjisë elektrike”, shtoi ai.
Zhvillime pozitive ka në qarkun e Gjirokastrës, ku të gjithë rrugët kombëtare janë lehtësisht të kalueshme. Po punohet me një borëpastruese në aksin Erind – Çajup. Ndërsa në përgjithësi të gjitha tokat e përmbytura kanë kulluar dhe niveli i ujit në shtratin e lumit Drino ka një ulje prej 30 cm dhe ndodhet brenda shtratit të tij.
Ministri i Mbrojtjes, bazuar edhe në parashikimet e motit nga IGJEUM tha se pritet që në orët në vijim të kemi përmirësim dhe pritet veçanërisht tërheqja në zonë pranë urës së Mifolit./albeu.com/