Ndryshon moti. Temperaturat e larta deri në 19-20° të ditëve të para të vitit të ri 2022, ua lënë vendin reshjeve të dëborës.
Gjatë natës së mbrëmshme reshjet e borës kanë përfshirë rrethin e Dibrës. Në qytetin e Peshkopisë bora ka zbardhur çatitë, rreth 3 cm, ndërsa në lartësi mbi 800 metra dhe zonat e thella malore trashësia kalon mbi 10 cm.
Situata rrugore vijon të jetë normale, kjo për shkak se bora nuk ka zënë shtresë në trupin e rrugës. Më problemtatike situata do të jetë në orët në vijim ku si pasojë e lagështirës dhe temperaturave që janë ulur ndjeshëm mund të ketë ngrica, në rrugët që lidhin Peshkopinë me Kukësin në Kalanë e Dodës pasi rruga ngjitet në lartësinë 1300 metra mbi nivelin e detit. Reshje dëbore ka pasur edhe në Rrugën e Arbrit, në baypasin e Murrizit pasi lartësia arrin në 1260 metra, por pa krijuar probleme.
Furrnizimi me energji elektrike vijon normalisht dhe nuk janë raportuar defekte as në zona të thella./albeu.com