Mosdakordësi brenda kryesisë së PD: Dy skenarët për 14 majin dhe ndarja e anëtarëve

Partia Demokratike me kryetar të komanduar Enkelejd Alibeajn në mbledhjen e sotme të Kolegjit të Kryetarëve, ka pasur diskutime mjaft të gjera ku ka mbizotëruar ideja që kandidatët të jenë për të 61 bashkitë, jo vetëm për disa.

Gjithashtu ka pasur dhe propozime për të pasur marrëveshje me palën tjetër që deri tani nuk është arritur.

Sipas BalkanWeb, shumica e deputetëve të grupit parlamentar të PD-së së drejtuar nga Alibeaj mendojnë për të shkuar në 14 maj për të kandiduar për këshillat bashkiakë, ndërsa anëtarët e tjerë të kësaj strukture janë për të pasur kandidatë në çdo bashki të vendit.

Gjithashtu mësohet  se gjatë mbledhjes së Kryesisë anëtarja e Kryesisë Taulanta Jupi ka thënë se duhet të hyhet me kandidatë në të gjitha bashkitë, mendim të cilit i janë bashkuar Gazmend Koduzi, Orjola Pampuri e Agron Kapllanaj ndër të tjerë, mendim ky i cili mbështetet edhe nga kryetari i komanduar i partisë, Enkelejd Alibeaj.

Sakaq, deputeti i PD Kreshnik Çollaku ka shprehur mendimin për garimin me kandidatë vetëm në ato bashki ku ka mundësi për të fituar.

Nga ana tjetër ndër emrat që kanë kërkuar të mbështeten kandidatët e Primareve të Berishës janë Gazment Bardhi, Jorida Tabaku, Dhurata Çupi apo edhe Dashnor Sula.


Shtuar 25.03.2023 19:53