Mos çelja e negociatave, Vuçiç: Të afrohemi bashkë dhe të mos presim asgjë nga askush

Presidenti i SerbisëAleksandar Vuçiç, ka shprehur keqardhje që BE-ja nuk vendosi pro çeljes së negociatave me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut.

“Konsideroj se nuk është e drejtë edhe ndaj Tiranës edhe ndaj Shkupit, si dhe ndaj qytetarëve dhe njerëzve që i udhëheqin ato vende. Ata kanë mik të sinqertë tek Serbia dhe do ta përmirësojmë bashkëpunimin me to dhe dëshiroj të kumtoj se do të kemi video konferencë të rëndësishme më datën 29 qershor me kryeministrat Zoran Zaev dhe Edi Rama”, tha Vuçiç raporton Blic.rs.

Vuçiç pati edhe një këshillë: Të bëhemi më të fuqishëm dhe të mos presim asgjë nga askush.

“Qytetarëve të Maqedonisë së Veriut dhe Shqipërisë u dëshiroj gjithë të mirat dhe jam i sigurt se edhe ata, si ne, do ta vazhdojnë rrugën e tyre evropiane, por ne e kuptojmë mirë porosinë se duhet të ndërtojmë marrëdhënie më të afërta dhe të bëhemi më të fuqishëm dhe të mos presim asgjë nga askush por ne besojmë në vete dhe i shtyjmë vendet tona përpara”, theksoi Vuçiç.


Shtuar 24.06.2021 16:33