SPAK ka zbardhur akuzat ndaj avokatit Bardhi Koçi. Këtij të fundit, iu komunikua këtë të shtunë masa e sigurisë “arrest shtëpie”, për akuzën e ushtrimit të ndikimit të paligjshëm ndaj personave që ushtrojnë funksione publike.
Prokuroria e Posaçme, sqaron se Bardhi Koçi, me profesion avokat (i cili në kohën e kryerjes së veprave penale ishte i punësuar me detyrë Auditues në Kontrollin e Lartë të Shtetit), ka kërkuar nga shtetasja P.M. shumën prej 4000 (katër mijë) eurosh dhe ka marrë prej saj në formën e përfitimit të parregullt shumën paraprake prej 1000 (një mijë) eurosh, me qëllim ushtrimin e ndikimit në vendimarrjen e gjyqtarit, i cili po shqyrtonte çështjen në ngarkim të saj.
Ndërsa ndaj gruas P.M, SPAK ka caktuar masën e sigurimit personal “Detyrim për t`u paraqitur në policinë gjyqësore” si e dyshuar për kryerjen e veprës penale “Ushtrimi i ndikimit të paligjshëm ndaj personave që ushtrojnë funksione publike”, parashikuar nga neni 245/1, paragrafi 2 i Kodit Penal.
Njoftimi i SPAK:
Prokuroria e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, me datë 27.08.2021, mbi bazën e akteve të dërguara nga Policia Gjyqësore ka regjistruar procedimin penal nr.229, për veprat penale “Ushtrim i ndikimit te paligjshëm ndaj personave që ushtrojnë funksione publike ” dhe “Shpërdorim të detyrës”, të parashikuara nga nenet 245/1 dhe 248 të Kodit Penal.
Në vijim të hetimeve për këtë procedim penal, përmes aplikimit të metodave speciale të hetimit është dokumentuar kryerja e veprës penale “Ushtrim i ndikimit të paligjshëm ndaj personave që ushtrojnë funksione publike”, parashikuar nga neni 245/1 paragrafi 4 i Kodit Penal, e kryer nga shtetasit P.M dhe B.K.
Shetetësja P.M., në kohën e kryerjes së veprës penale po gjykohej në Gjykatën e Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, e akuzuar për veprën penale “Falsifikim i dokumentave shëndetësore”, e parashikuar nga neni 188/1 i Kodit Penal.
Shtetasi B. K. me profesion avokat (i cili në kohën e kryerjes së veprave penale ishte i punësuar me detyrë Auditues në Kontrollin e Lartë të Shtetit) ka kërkuar nga shtetasja P.M. shumën prej 4000 (katër mijë) eurosh dhe ka marrë prej saj në formën e përfitimit të parregullt shumën paraprake prej 1000 (një mijë) eurosh, me qëllim ushtrimin e ndikimit në vendimarrjen e gjyqtarit, i cili po shqyrtonte çështjen në ngarkim të saj.
Pas kërkesës së paraqitur nga Prokuroria e Posaçme, Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë, përmes vendimit nr.10, datë 27.02.2025, ka vendosur:
Caktimin e masës së sigurimit personal “arrest në shtëpi”, e parashikuar nga neni 237 i Kodit të Procedurës Penale ndaj personit nën hetim B.K., i dyshuar për kryerjen e veprës penale “Ushtrim i ndikimit të paligjshëm ndaj personave që ushtrojnë funksione publike”, parashikuar nga neni 245/1 i Kodit Penal.
Caktimin e masës së sigurimit personal “Detyrim për t`u paraqitur në policinë gjyqësore” ndaj personit nën hetim P.M., e dyshuar për kryerjen e veprës penale “Ushtrimi i ndikimit të paligjshëm ndaj personave që ushtrojnë funksione publike”, parashikuar nga neni 245/1, paragrafi 2 i Kodit Penal.
Gjithashtu në kuadër të hetimit të këtij procedimi penal me qëllim kërkimin e provave janë ushtruar kontrolle në banesat e katër shtetasve, mes tyre edhe në atë të një eksperti kriminalistik dhe një oficeri të Policisë Gjyqësore në Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm, Tiranë.
Prokuroria e Posaçme, falenderon Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Shtetit, për bashkëpunimin efektiv në hetimin dhe fazën e ekzekutimit të masave të sigurisë për këtë procedim penal.