Miratohet projektligji për skemat pensionale të financuara nga shteti në Kosovë

Kuvendi i Kosovës e ka miratuar të enjten vonë projektligjin për ndryshimin dhe plotësimin e ligjit për skemat pensionale të financuara nga shteti, i cili do t’ua njohë mijëra qytetarëve të drejtën e pensionit kontribut-pagues.

Ky projektligj u miratua në lexim të dytë me 62 vota pro, asnjë kundër dhe asnjë abstenim, në seancën e 27 korrikut.

Për të hyrë në fuqi, projektligji pas miratimit në Kuvend duhet të nënshkruhet nga presidentja e vendit.

Më herët gjatë ditës, Kuvendi e miratoi në lexim të parë këtë projektligjin, me të cilin është krijuar edhe një skemë e re e quajtur “skema e pensionit parcial kontribut-pagues të moshës.”

Në këtë skemë janë futur të gjithë qytetarët të cilët janë larguar nga puna në vitet e ’90, e të cilëve nuk u është njohur kontributi, dhe si pasojë, nuk e kanë plotësuar kriterin prej 15 vjetësh stazh, për të përfituar nga pensioni kontribut-pagues.

Miratimi i këtij projektligji është bërë me procedurë të përshpejtuar përmes kërkesës për seancë të jashtëzakonshme, të thirrur nga 41 deputetë të Kuvendit të Kosovës.

Menjëherë pas miratimit në lexim të parë të këtij projektligji, shefja e grupit parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Mimoza Kusari – Lila, e paraqiti një mocion procedural për shmangie nga afatet e përcaktuara në rregulloren e Kuvendit për shqyrtimin e projektligjit.

Mocioni u votuar dhe leximi i dytë i këtij projektligji u bë në një seancë të re plenare që nisi në orën 19:00.

Për miratimin e këtij projektligji janë shmangur të gjitha afatet procedurale të rregullores së Kuvendit.

Krijimi i një skeme të re pensionale përmes ndryshimeve në ligjin aktual për pensione, u bë pasi Gjykata Kushtetuese e Kosovës më 2022 shfuqizoi paragrafin 2 të nenit 8 të ligjit për skemat pensionale, pasi konstatoi se ky nen pa të drejtë iu mohoi mijëra qytetarëve të drejtën e pensionit kontribut-pagues.

Ligji aktual për skemat pensionale parasheh të drejtën e përfitimit nga pensioni kontribut-pagues vetëm për ata persona që dëshmojnë se kanë kontribuar për 15 vjet në ish-Fondin Pensional.

Për personat që u larguan dhunshëm nga puna nga regjimi i atëhershëm serb, nuk u mundësua që të gëzonin pensionin kontribut-pagues, për shkak se nuk përmbushnin kriterin prej 15 vjetësh përvojë pune.

Sipas vlerësimeve të Qeverisë së Kosovës, aktualisht, në skemën e pensionit bazik duhet të jenë rreth 70.000 persona që realisht do të duhej të kualifikoheshin për pensionin parcial kontributpagues të moshës.

Kjo skemë e re pensionale për personat që u larguan nga puna në vitet ’90, llogaritet se do t’i kushtojë shtetit rreth 60 milionë euro në vit.


Shtuar 27.07.2023 20:49