Ministrja e Shtetit për Sipërmarrjen dhe Klimën e Biznesit, Delina Ibrahimaj ka lancuar ditë më parë e programin e mbështetjes së startup-eve për 2024.
Në një takim me përfaqësues të ekosistemit të startupeve dhe sipërmarrës të rinj, ministrja theksoi se përmes thirrjes që do të jetë e hapur për 30 ditë, duke nisur nga 16 shkurt do të mbështeten startup-et në tre faza të tyre, ndërsa programi pritet të mbështesë 50-80 projekte, me një fond total prej 3 milionë euro, transmeton AlbEu.com.
Por, siç ndodh zakonisht, institucionet shtetërore duket se e kanë të vështirë të bëjnë një thirrje ashtu sic duhet, pa bërë një hile që vë në pikë pyetje të gjithë nismën.
Konkretisht, siç ka vënë re portali AlbEu.com, në thirrjen e publikuar një ditë para lancimit publik në këtë link, me datë 14 Shkurt 2024 për kandidatin për anëtar të Këshillit të Startup-eve klasifikuar si ekspert i ekosistemit dhe anëtari ekspert ndërkombëtar nga fusha e startup-eve, afati i fundit për aplikim është caktuar po e njëjta ditë (14 shkurt), ora 23:00. Pra, të interesuarit për dy anëtarët ekspert të Këshillit të Startup-eve, të cilët do të vendosin se kujt do t’i jepen këto fonde, kishin vetëm disa orë brenda datës 14 Shkurt për të aplikuar, gjë që ngre dyshime të arsyeshme për emra të paracaktuar dhe favorizim të disa individëve nga ana e Ministrit të Shtetit për Sipërmarrjen dhe Klimën e Biznesit.
Dhe për ironi, në thirrjen e ministrisë, e cila ka afat vetëm disa orë thuhet që “Anëtari ekspert i ekosistemit dhe anëtari ekspert ndërkombëtar nga fusha e start up-eve, do të përzgjidhen mbi bazën e një procesi transparent konkurrimi”.
Se sa transparent dhe e drejtë mund të jetë një thirje që aplikimi hapet dhe mbyllet brenda një dite, nuk ka nevojë të thuhet me fjalë, por vazhdimi i praktikave të njejta me ato të para dy viteve kur nisma e ngjashme për financim startup-esh u përfol për parregullësi të shumta, tregon edhe një herë se në këtë vend akoma nuk ka ndryshuar asgjë.
Për të vërtetuar që publikimi i njoftimit dhe afati është në të njëjtën ditë, përvec linkut (i cili mund edhe të editohet pas publikimit të këtij lajmi), ju sjellim më poshtë “screenshot” të linkut në faqen e Ministrit të Shtetit për Sipërmarrjen dhe Klimën e Biznesit:
/AlbEu.com/