Ministria e Mbrojtjes ka përditësuar informacionin mbi situatën e zjarreve në territorin e vendit deri në orën 20:00 të kësaj të marte, 25 gusht.
Gjatë ditës janë evidentuar 24 vatra zjarri në rang vendi. Prej tyre, 6 vijojnë të jenë aktive, ndërsa 5 të tjera mbahen nën monitorim.
Të lidhura
None found
Për përballimin e situatës janë angazhuar 126 forca operacionale dhe 18 automjete zjarrfikëse. Në mbështetje të operacioneve, Forcat e Armatosura kanë vënë në dispozicion 20 efektivë, 1 helikopter dhe 2 avionë Air Tractor.
Mali i Dajtit mbetet pika kryesore e ndërhyrjes, pasi vatrat në lartësitë mbi tunelet e Qafë Mollës janë ende aktive. Në terren po veprojnë 40 forca zjarrfikëse, 20 efektivë të FA-së dhe 7 forca të ADZM-së, ndërsa shuarja nga ajri po mbështetet nga 1 helikopter dhe 2 avionë Air Tractor. Sipas të dhënave të raportuara, zonat e banuara nuk kërcënohen.
Në qarkun Dibër, zjarri mbetet aktiv në Ballenjë, ku janë angazhuar 5 forca të ADZM-së. Ndërkohë, në Qafë të Helmës, Bulqizë, situata po ndiqet nga 4 efektivë të MZSH-së. As në këto dy zona nuk raportohet rrezik për banesat.
Vatra në Malin e Dardhës, Librazhd, është riaktivizuar në një sipërfaqe pyjore prej rreth 7–8 ha. Efektivët e MZSH Librazhd vijojnë punën në terren, ndërsa banesat nuk janë në rrezik.
Në zonën Gjegjan–Gojan–Prozhëm–Tërbun të Pukës, vatrat e zjarrit janë izoluar. Aty nuk ka më vatra aktive dhe po kryhet vetëm monitorimi i situatës.
Agjencia Kombëtare e Mbrojtjes Civile po e ndjek në vijimësi situatën në të gjithë vendin, në bashkëpunim të ngushtë me prefekturat, bashkitë dhe strukturat e sistemit të Mbrojtjes Civile.
Forcat dhe kapacitetet operacionale vijojnë të jenë në terren dhe në gatishmëri për ndërhyrje, me përparësi ruajtjen e jetës së qytetarëve, banesave dhe pasurisë së tyre.
