Një ngjarje e rëndë është regjistruar në Aeroportin Ndërkombëtar Montreal-Trudeau në Kanada, ku një punonjës i kompanisë së shërbimeve tokësore humbi jetën gjatë përgatitjeve për nisjen e një avioni të kompanisë franceze French Bee drejt Parisit.
Incidenti ndodhi teksa një Airbus A350 i French Bee po zhvendosej në pistë, pak para fluturimit. Sipas të dhënave paraprake, punonjësi u dëmtua rëndë gjatë operacioneve.
Të lidhura
None found
Mediat kanadeze raportojnë se ai dyshohet se u pengua në momentin kur avioni ishte në lëvizje, duke u goditur dhe përfunduar poshtë mjetit.
Pas aksidentit, punonjësi u dërgua me urgjencë në spital, por nuk arriti t’u mbijetonte plagëve dhe ndërroi jetë pavarësisht ndërhyrjes së mjekëve.
Një pasagjer që ndodhej në bord tregoi se situata shkaktoi panik, ndërsa disa persona nisën të bërtisnin sapo kuptuan se çfarë kishte ndodhur.
Asnjë pasagjer apo pjesëtar i ekuipazhit nuk pësoi lëndime.
Pas ngjarjes, kujdesi ndaj pasagjerëve iu besua kompanisë French Bee dhe ekipeve të aeroportit.
Autoritetet kanë hapur një hetim për të sqaruar rrethanat e aksidentit dhe për të përcaktuar se si ndodhi përplasja gjatë operacioneve në pistë.
