Ministria e Mbrojtjes ka publikuar të dhënat më të fundit për situatën e zjarreve në vend. Nga 17 vatra të evidentuara gjithsej, 8 vijojnë të jenë aktive, 4 janë nën monitorim, ndërsa 5 janë shuar.
Zjarret janë raportuar në Dajt, Bulqizë, Dibër, Librazhd, Gjirokastër, Tepelenë, Mallakastër dhe Himarë. Ndërhyrjet janë vështirësuar nga terreni i thyer dhe kushtet e motit.
Të lidhura
None found
Për menaxhimin e situatës, strukturat e Mbrojtjes Civile kanë vënë në dispozicion të gjitha kapacitetet operacionale. Në terren janë angazhuar dhjetëra forca zjarrfikëse, 50 efektivë ushtarakë, 4 helikopterë dhe 1 avion “Air Tractor”. Në Librazhd, për shkak të rrezikut nga zjarri, është kryer evakuimi i dy banesave.
Vatrat aktive paraqiten si më poshtë:
Në malin e Dajtit, në Tiranë, janë riaktivizuar tre vatra në zonën e Qafë Priskës dhe në kreshpën e malit. Për shuarjen e tyre po punojnë 25 forca zjarrfikëse dhe AZM.
Në Qafë të Helmës, Bulqizë, zjarri ka përfshirë shkurre dhe pisha. Ekipet po ndërhyjnë përmes krijimit të pritave dhe përdorimit të pompave të shpinës, ndërsa zonat e banuara nuk kërcënohen.
Në Vajkal të Bulqizës, flakët vijojnë në një terren shkëmbor të mbuluar me shkurre dhe dëllinja. Në operacion janë angazhuar 95 forca, mes tyre 20 efektivë të FA-së, si edhe 1 helikopter i FA-së. Banesat nuk janë në rrezik.
Në Sllatinë të Dibrës, situata u përkeqësua gjatë mesditës për shkak të temperaturave të larta dhe erës, duke bërë që zjarri të përhapej në një pyll me pisha të larta. Në terren ndodhen mbi 100 forca dhe është vënë në përdorim 1 helikopter i FA-së. Zonat e banuara nuk rrezikohen.
Në Xhyrë të Librazhdit, zjarri vijon të favorizohet nga era. Dy banesa janë evakuuar dhe automjetet zjarrfikëse janë vendosur pranë tyre. Në ndërhyrje po merr pjesë edhe 1 helikopter i FA-së.
Në Tërbuq të Gjirokastrës, zjarri ka përshkuar një sipërfaqe prej rreth 30 ha. Megjithatë, vatra është aktualisht nën kontroll të plotë dhe nuk përbën më rrezik për banorët.
Në Dragot të Tepelenës, përveç MZSH-ve, në ndihmë të operacionit janë dërguar 30 forca ushtarake dhe 3 automjete zjarrfikëse të FA-së.
Në Çorrush të Mallakastrës vazhdon ndërhyrja për shuarjen e zjarrit në kullota dhe në bimësi të ulët. Për këtë qëllim janë angazhuar 2 automjete zjarrfikëse dhe 8 efektivë të MZSH-së.
Në fshatin Tërbaç, në Vranisht, njësia administrative Horë-Vranisht, bashkia Himarë, po punohet për shuarjen e një zjarri që ka përfshirë një sipërfaqe pyjore me shkurre. Në terren ndodhen 2 automjete zjarrfikëse dhe 9 efektivë të MZSH Himarë. Ndërhyrja ajrore po realizohet me 2 helikopterë dhe 1 avion Air Tractor.
Në të gjithë territorin e vendit, për mbështetjen e operacioneve janë angazhuar 50 forca ushtarake, 4 helikopterë dhe 1 avion Air Tractor të FA-së.
Agjencia Kombëtare e Mbrojtjes Civile vijon monitorimin e pandërprerë të situatës në bashkëpunim të ngushtë me prefekturat, bashkitë dhe strukturat e sistemit të Mbrojtjes Civile. Kapacitetet operacionale mbeten në terren dhe në gatishmëri për të ndërhyrë sipas nevojës, duke pasur si përparësi mbrojtjen e jetës, banesave dhe pasurisë së qytetarëve.
