Ministri rus i mbrojtjes aludoi të dielën se Ukraina po përgatit “një provokim” me një pajisje radioaktive. Ky pretendim tronditës u hodh poshtë me forcë nga zyrtarët ukrainas dhe britanikë, ndërsa tensionet janë shtuar me përpjekjet e Moskës për të frenuar përparimin e forcave ukrainase në jug.
Ministri rus Shoigu i bëri pretendimet gjatë telefonatave me homologët e tij të Shteteve të Bashkuara, Britanisë, Francës dhe Turqisë.
Ministria ruse e mbrojtjes tha se zoti Shoigu ka shprehur shqetësimin për “provokime të mundshme nga ana e Ukrainës” duke përdorur një pajisje që falë shpërthimit të eksplozivit mundëson shpërndarjen e mbetjeve radioaktive. Ajo nuk ka efektin shkatërrimtar të një shpërthimi bërthamor, por mund të ekspozojë zona të gjera ndaj ndotjes radioaktive.
Autoritetet ruse kanë përsëritur vazhdimisht pretendimet se Ukraina mund të shpërthejë një bombë të tillë dhe të fajësojë për këtë Moskën. Nga ana e tyre, autoritetet ukrainase kanë akuzuar Moskën se po përgatit një plan të tillë.
Sekretari britanik i Mbrojtjes, Ben Wallace refuzoi me forcë pretendimin e zotit Shoigu dhe e paralajmëroi Moskën që të mos e përdorë si pretekst për përshkallëzimin e konfliktit.
Ministria britanike e Mbrojtjes vuri në dukje se gjatë telefonatës, zoti Shoigu “pretendoi se Ukraina po i planifikon këto veprime me lehtësimin e vendeve perëndimore, përfshirë Britaninë, për të përshkallëzuar konfliktin në Ukrainë”.
Ministria britanike e Mbrojtjes tha se: “Sekretari i mbrojtjes i refuzoi këto pretendime dhe paralajmëroi se këto aludime nuk duhet të përdoren si pretekst për një përshkallëzim më të madh. Sekretari i mbrojtjes gjithashtu përsëriti mbështetjen e Britanisë dhe komunitetit më të gjerë ndërkombëtar për Ukrainën, si dhe dëshirën për të çtensionuar konfliktin”.
Këshilltari presidencial i Ukrainës, Mykhailo Podolyak, gjithashtu i hodhi poshtë pretendimet e zotit Shoigu si “një absurditet absolut dhe krejt i parashikueshëm nga ata që mendojnë se mund të gënjejnë haptazi dhe t’i bëjnë njerëzit që t’i besojnë”. Kryediplomati ukrainas, Dmytro Kuleba, tha se vendi i tij as nuk disponon dhe as nuk ka në plan të marrë bomba që shkaktojnë ndotje radioaktive./VOA