Ministri që rrezikon burgun!

Nga Edi Oga

Që ditën e parë pas dënimit të formës së prerë të ish-ministrit Tahiri, ditë për ditë, çdo gazetë boton dhe çdo portal poston lajme “bombë” me titullin “Cili është ministri që do të futet në burg”! Pas kureshtjes kombëtare se cili nga banorët do të fitojë BBV, duket se ky për ministrin “fatkeq” që do t’i vihen hekurat, është ushqimi shpirtëror më i shijshëm që politika ofron për shqiptarët. Duket si gjueti shtrigash ku, si për ironi të fatit, në këtë rast është shtriga ajo që gjuan, është pushteti i cili për t’u forcuar akoma më tepër, duhet që herë pas here të hajë ndonjë nga bijtë e vet. Atë më lodhurin. Më të brishtin.

Unë mendoj se asnjë ministër aktual apo ndonjë ish-ministër i përfolur nuk do të arrestohet. Këta që janë pas hekurave, mjaftojnë. Shtoi edhe shkarkimin, pak ditë të përfundimit të mandatit, të presidentit të republikës. Me këto gjeste, mesazhet janë dhënë të gjitha:

Amerika dhe Evropa po “beson” se drejtësia e re po funksionon dhe në vend ka filluar të japë efekte lufta antikorrupsion.

Ministrat dhe pushtetarët e tjerë kuptuan se ku i kanë limitet dhe si duhet të sillen që të mos rrezikojnë.

Qytetarët kanë filluar të shpresojnë se ka ardhur fundi i pandëshkueshmërisë së atyre që e bëjnë “baltë”.

Kaq mjafton, tani për tani.

Pushteti mund të shuajë urinë e publikut për “koka ministrash”, por kurrsesi nuk mund ta ngopë atë me to, qofshin edhe “koka turku”!

Si përfundim, çdo ministër rrezikon burgun, por për ca kohë, le të mjaftohemi me këta që “e hëngrën”!


Shtuar 15.02.2022 11:19