Mimi Kodheli jep fjalimin e “lamtumirës” në Kuvend: Nuk kam bërë mrekullira

Socialistja Mimi Kodheli ka bërë një deklaratë lamtumire në Kuvend pasi mbeti jashtë listës së re të PS për t’u futur në parlamentin e ri.

“Faleminderit të gjithë qytetarëve që me mua kanë qarë dhe qeshur. Faleminderit grave të jashtëzakonshme të Shqipërisë, mbështetjes sime të madhe…”- tha ndër të tjerave Kodheli.

Fjala e plotë

Kolegë, më lejoni që pa dashur të bie në patetizëm të bëj disa falënderime. Faleminderit Gramoz Ruci për lidershipin në politikë, por edhe leksionin e madh që dite të japësh së fundmi. Faleminderit kolegë socialist të të gjitha legjislaturave, por në mënyrë të veçantë kolege gra. Faleminderit të gjithë atyre kolegëve të ngjyrave të ndryshme politike, me të cilët kam dhënë opinione, kam bërë debate, i kam dhe më kanë vlerësuar për cilësinë dhe pasionin për profesionin e fituar në 20 vitet e fundit.

Faleminderit të gjithë socialistëve nga Bjeshkët e Namuna deri në Finiq. Faleminderit të rinjve që te unë kanë parë një model, apo shoqe bashkëmoshatare. Faleminderit grave, mbështetja ime politike.

Një ndjesë të madhe të njohurve dhe të panjohurve, të cilëve nuk kam mundur tu përgjigjem siç do kisha dashur, pavarësisht përpjekjes shpeshherë dhe jashtë mundësive të mia. Nuk kam bërë mrekullira, por misioni dhe angazhimi im ka qenë maksimal. Dhe së fundmi, por jo për nga rëndësia, faleminderit Edi Rama, për çfarë ke ditur të jesh, bashkëpunëtor, mik dhe lider.

Faleminderit për besimin dhe mundësinë që më ke dhënë dhe më jep për të përfaqësuar atdheun. Dy fjalë për të ardhmen për të cilën duhet të kemi besim. Një mik i vyer shkruan se dashuria për atdheun nuk ka nevojë për arsye, ndaj miq të vjetër e të rinj ju ftoj ta duam vendin pa pasur nevojë të kërkojmë arsye.

Shqipëria ndodhet para një prej momenteve të saj më të rëndësishme, ndaj çdo punë e bërë mirë me modesti dhe pa egoizëm personal i bën mirë të ardhmes. Shpresoj të shihemi së shpejti, duke bërë punë të mira, për të mirën e përbashkët. /albeu.com/

 


Shtuar 24.06.2021 12:38